Protestat në Rumani. Foto: Beta

Rumunët nuk Mjaftohen me Tërheqjen e Dekretit Kundërthënës për Korrupsion

Ministri rumun i drejtësisë Florin Iordache të hënën tha se do të publikonte një ligj të ri në Kodin Penal, një ditë pasi qeveria rrëzoi dekretin kontrovers pas protestave masive dhe kritikave ndërkombëtare.

“Ne do të krijojmë dhe publikojmë një projekt-ligj që do të dërgohet në parlament pas konsultimeve publike,” tha ai.

Rreth 600,000 rumunë vlerësohen të kenë protestuar në kryeqytetin Bukuresht dhe në qytete të tjera të dielën kundër dekretit që efektivisht mbronte disa zyrtarë nga ndjekja penale për akuza korrupsioni.

Protesta të reja priten të hënën, pasi protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë së drejtuar nga Social Demokratët, shprehën kërkesën për zgjedhje të parakohshme dhe thanë se nuk kishin besim në vullnetin e mirë të qeverisë. “Ne nuk ju besojmë, ne nuk do të heqim dorë,” brohoritën protestuesit.

“Nuk do të jap dorëheqjen,” tha kryeministri Sorin Grindeanu për kanalin e lajmeve Antena3. Vetëm parlamenti mund ta detyrojë atë të largohet, por kryeministri theksoi se ai ka shumicë atje.

Shefi i Social Demokratëve, Liviu Dragnea të hënën tha gjithashtu se anëtarët e partisë së tij kishin rikonfirmuar mbështetjen për Grindeanu, pavarësisht një mocioni mosbesimi të partive opozitare.

Qeveria ka thënë se dekreti, i miratuar të martën që shkoi, ishte hartuar për të sjellë kodin penal të Rumanisë me vendimet e fundit të gjykatës kushtetuese, pas rregullave të Bashkimit Europian për këtë çështje.

Por kritikët dhe aktivistët pretenduan se kabineti që ka një muaj që është formuar e kishte përdorur nevojën e përditësimit të legjislacionit si një alibi për të rrëzuar akuzat që rëndojnë kundër tyre.

Pozicioni i Iordache tani mund të jetë në lojë, pasi Grideanu dhe Dragnea lanë të kuptohej se ai e kishte fajin për moskomunikim të mjaftueshëm të arsyeve që e çuan përpara legjislacionin e ri.

Grindeanu tha se vendimi për këtë do të merrej të hënën në mbrëmje.