Foto ilustruese: Pixabay

Rumania Përfiton nga Asetet e Zyrtarëve të Korruptuar

Paratë e rimarra nga një agjenci e specializuar në Rumani nga zyrtarët e dënuar janë kanalizuar tashmë në projekte qeveritare të lidhura me arsimin, parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e viktimave, u bë e ditur së fundmi.

Qeveria thotë se synon të rikuperojë mbi gjysmë miliard euro nga ish-zyrtarët dhe biznesmenët e dënuar për krime të lidhura me korrupsionin.

Kreu i Agjencisë Kombëtare për Administrimin e Aseteve të Ngrira, ANABI, tha se 4.5 milionë eurot e parë kanë mbërritur tashmë në Ministritë e Arsimit, Shëndetësisë, atë të Brendshme dhe të Drejtësisë.

Kjo sasi është e vogël krahasuar me fondet totale të ngrira nga prokurorët në llogaritë bankare në Rumani, që vlejnë 156 milionë euro.

“Paratë janë të vërteta, janë para të ngrira në llogaritë bankare dhe institucione financiare në territorin rumun”, tha shefi i ANABI, Cornel Calinescu.

Ai gjithashtu tha se Agjencia ka llogaritur 2,000 prona të paluajtshme të ngrira nga prokurorët që mund të shiten nëse gjykatat vendosin të rikuperojnë dëmet e lidhura me korrupsionin.

Calinescu tha se Agjencia gjithashtu po gjurmon rrugën e rikuperimit të parave për t’u siguruar se po përdoret për parandalim të krimit ose projekte edukuese.

ANABI, që ka 35 punonjës, u krijua në qershor 2016 për të kanalizuar paratë e rikuperuara nga hetimet e korrupsionit në institucionet e identifikuara si prioritete kombëtare nga Parlamenti.

Sipas Drejtorisë Kombëtare Anti-korrupsion, DNA, dënimet e gjykatave rumune në 204 raste urdhëruan kthim të mbi 227 milionë eurove dëme.

Megjithatë, autoritetet mbetet ende të vënë në zbatim këto vendime dhe të marrin të gjitha asetet. Shefja e DNA, Laura Codruta Kovesi tha në fund të shkurtit se rikuperimi i dëmeve financiare në rastet e korrupsionit mbetet një sfidë për qeverinë, si dhe për prokurorët.

Në fund të tetorit 2016, ish-kryeministri teknokrat Dacian Ciolos tha ANABI duhet të punojë me kapacitet të plotë për të rikuperuar mbi gjysmë miliardi euro dëme nga korrupsioni.