Foto-ilustrim

Rrugët vdekjeprurëse të Kosovës

11 persona kanë vdekur në aksidente të  ndryshme trafiku nëpër Kosovë, vetëm në dy muajt e fundit.

Statistikat e fundit nuk japin shumë shpresë për ngritje të sigurisë në rrugë, ndërsa nga institucionet janë dëgjuar apele për kujdes.

Në më pak se 2 muaj, në rrugët e Kosovës kanë vdekur 11 qytetarë përderisa 650 prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda dhe të lehta trupore.

Një ndër rrugët më të përgjakura për këtë vit në Kosovë, po del të jetë rruga në fshatin Duhël, respektivisht segmenti rrugor Suharekë- Prizren.

janar të këtij viti, kishte ndodhur një aksident mes dy veturash ku ishin lënduar katër persona, dy fëmijë dhe dy të rritur në magjistralen Prishtinë- Prizren më saktësisht në fshatin Duhël.

Ndërkaq me 21 tetor të vitit 2018, po ashtu në Duhël kishte ndodhur edhe një aksident mes dy veturash, ku ishin lënduar dy persona.

Me 8 korrik të po atij viti, një familje pesë anëtarëshe ishte shuar si pasojë e përplasjes mes një veture dhe autobusi në magjistralen Duhël-Suharekë.

Listës së fataliteve që po ndodhin në këtë rrugë iu shtuan të shtunën edhe tre të rinj, si pasojë e një aksidenti mes një veture dhe kamioni në magjistralen Prishtinë-Prizren, gjegjësisht në fshatin Duhël të Suharekës.

Shkaktar i aksidentit  të së shtunës dyshohet të ketë qenë drejtuesi i veturës, i cili ka hyrë në tejkalim në vendin e ndaluar dhe në mënyrë frontale ka goditur kamionin, i cili ishte në drejtimin e kundërt, dhe për pasojë ka shkaktuar aksident trafiku me fatalitet. Kjo është vdekja e 15-të si pasojë e aksidenteve në trafik vetëm në këtë tremujorin e parë të vitit 2019.

Numri i madh i aksidenteve me fatalitet ka alarmuar institucionet që merren me sigurinë dhe shëndetin publik në Kosovë. Përderisa krerët institucionalë kryesisht janë deklaruar të tronditur me aksidentet e shumta që po marrin jetë njerëzish në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka reaguar në lidhje me këtë fenomen shqetësues.

Sipas këtij Instituti, në dy muajt e parë të këtij viti 15 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor në Kosovë. Nëse krahasohet me vitin 2018, janë katër veta më shumë që kanë humbur jetën për periudhën e njëjtë kohore”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti.

Ky Institut thekson mungesën e masave të ndërmarrura në parandalimin e aksidenteve duke i renditur disa nga shkaqet e aksidenteve të shumta duke listuar faktorin njeri si një ndër shkaktarët kryesorë duke vazhduar më tëj me shkaktarë tjerë të tillë si mosrespektimi rregullave në trafik, manipulimi në lidhje me sigurimin e teknik te mjeteve, tejkalimin e shpejtësisë, mospërshtatja e kushteve të rrugës, përdorimi i telefonave, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë dhe një varg faktorësh tjerë.

Më tej ky Institut ka dalë me një numër rekomandimesh të cilat do të duhej të aplikoheshin për të rralluar, në mos ndaluar tërësisht, rastet e aksidenteve më fatalitet.

Përndryshe, që nga janari i vitit 2017, në aksidente rrugore në Kosovë kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur në vitin 2017, 129 në vitin 2018 dhe 15 gjatë tre muajve të parë të vitit 2019.