Rrugët në komunën e Drenasit të kalueshme

Komuna e Drenasit ka njoftuar se rrugët në territorin e kësaj komune janë të kalueshme por ka paralajmëruar për mundësinë e vështirësimit të qarkullimit për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës.

Kjo Komunë përmes një komunikate ka thënë se drejtoresha e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi së bashku me menaxherin e projektit kanë dalë në terren për të verifikuar gjendjen e rrugëve.

Gjithashtu, në komunikatë bëhet e ditur se dy kompanitë e kontraktuara për pastrimin e rrugëve janë në terren.

“Rrugët janë të kalueshme, por ka vështirësi në komunikacion për arsye të reshjeve të borës që po bie pandërprerë. Gjithashtu Drejtoresha Krapi fton të gjithë qytetarët që të jenë bashkëpunues dhe kërkon të jenë të mirekuptueshëm gjatë këtyre ditëve, po ashtu falënderon të gjithë qytetarët që po bashkëpunojnë me kompanitë kontraktuese”, është thënë mes tjerash në kumtesën e Komunës së Drenasit.

KALLXO.com sot ka raportuar se disa rrugë në Kosovë janë të bllokuar, pavarësisht që Ministria e Infrastrukturës theksoi se janë të kalueshme rrugët nacionale dhe rajonale.

https://kallxo.com/bora-bllokon-disa-rruge-ne-kosove-foto/

Ndërkaq, Policia e Kosovës përmes një njoftimi, referuar kushteve atmosferike, ndryshimit të motit me të reshura më të dendura të borës në vend, ka bërë apel tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në trafik.