Rruga Prishtinë- Mitrovicë Emërtohet me Emrat e Heronjve të Vrarë në Pestovë

“Autostrada Prishtinë-Mitrovicë do të quhet “Rruga e tre Heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”.

Vendimin për emërimin kësisoji të kësaj rruge e mori kryeministri Haradinaj, ndërsa nismën e kishte dhënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në 21 vjetorin e vdekjes së tyre.

Një kopje të vendimit për emërtimin e kësaj rruge, Haradinaj ua dha edhe familjarëve të këtyre dëshmorëve që sot ishin mysafirë të kryeministrit. Përvec vendimit, Haradinaj ua ka dhënë edhe një flamur kombëtar si dhuratë simbolike.

“Gjatë takimit kryeministri Haradinaj, vlerësoi lart kontributin dhe luftën e lavdishme për liri të Zahirit, Edmondit e Hakifit, duke thënë se me sakrificën e tyre sublime trasuan rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë të shtetit tone”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.