Ruga "Skender Rexhepi" Malisheve - FOTO KALLXO

Rruga me kubëza në Malishevë ende mbetet e parregulluar - VIDEO

Rruga “Skender Rexhepi” në Malishevë ende nuk është rregulluar që kur është zëvendësuar gypi i dëmtuar i ujësjellësit në këtë zonë.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” njësia në Malishevë ka hequr kubëzat për ta rregulluar gypin, i cili kishte shpërthyer, por nuk e ka kthyer rrugën në gjendjen e mëparshme.

Kjo rrugë është pengesë për shumë pronarë biznesesh, të cilët kyçjen kryesore në bizneset e tyre e kanë përmes kësaj rruge.

Agron Berisha, i cili është floktar me profesion thotë se që nga zëvendësimi i gypit nga Hidroregjioni nuk ka ardhur askush për ta rregulluar rrugën.

“Qe një vit kemi probleme me këtë rrugë, jemi nja 10 a 15 biznese të vogla, nuk e dimë a është problem i Komunës apo i ujësjellësit, kemi pengesë shumë në biznes, qe një vit kemi probleme, e kanë ndërru një gyp, por tash nuk intervenon kurrkush me rregullu”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Biznesi i Rexhep Berishës po ashtu është i dëmtuar nga gjendja e keqe e rrugës, ai thotë se i ka rënë puna shumë.

“Po ka shumë pengesa, po prishet rregullisht, ka ra puna krejt, nuk po vijnë kerre ma”, tha Berisha për KALLXO.com

Kurse Njazi Bytyçi, drejtor i Njësisë së Hidroregjionit në Malishevë tha për KALLXO.com se nuk e kanë rregulluar rrugën sepse Komuna e Malishevës e ka marrë përgjegjësinë.

“Po e di që është përgjegjësi e jona me e kthy rrugën në gjendjen e mëparshme, gypi ka pëlcitë disa herë dhe është dashtë me e zëvendësu. Ne kemi një marrëveshje me Komunën, të cilët na kanë thënë se do ta rregullojnë ata edhe prandaj ne nuk kemi vepruar, qysh nesër punëtorët do ta rregullojnë rrugën”, tha Bytyçi për KALLXO.com.

E drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Milazim Morina tha për KALLXO.com se Kompania Rajonale e Ujësjellësit

“Hidroregjioni Jugor”, njësia në Malishevë e ka lënë rrugën në atë gjendje pas rregullimit të gypit. Ai tha se Komuna tash ka marrë përgjegjësi ta rregullojë rrugën. Rruga “Skender Rexhepi” është në atë gjendje sepse ashtu e ka lënë kompania e Hidroregjionit në Malishevë, kanë fillu me e rregullu një gyp që ka shpërthyer, gypin e kanë rregullu, por rrugën e kanë lënë në atë gjendje, Inspektorati i Komunës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe i ka thënë Hidroregjionit ta kthejë në gjendjen e mëparshme, por nuk e ka kthy, andaj tash jemi të obliguar ne si Komunë të kontaktojmë me një kompani që ta rregullojë dëmin”, tha Morina.

 

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për gjendjen e kësaj rruge.

https://kallxo.com/puna-shkel-e-shko-me-kubezat-ne-rrugen-skender-rexhepi-ne-malisheve-foto/

www.KALLXO.com