Rrudhat e ballit në ekspozitë

Një ekspozitë e veçantë është hapur këtë të premte në Galerinë e Arteve në Gjilan, ku skaj ekspozitës qëndronin protagonistët e saj, njerëz që kishin shkelur një shekull jetë.

Fytyrat e tyre, që në vete bartin mbi 100 vite sikur rrëfejnë për të kaluarën e Kosovës ndër vite, përmes fotografive të artistit Muhamed Sadriu.

Në njoftimin e komunës së Gjilanit thuhet se si rrallëherë, galeria ishte mbushur përplotë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se është i nderuar se në të ka personazhe që do të mbeten në memorien tonë.

“Artisti Muhamed Sadriu na e bëri të këndshëm këtë fundjavë, një ditë jashtëzakonisht e mirë e komuna do të vazhdojë të mbështes çdo lloj aktiviteti kulturor ngase Gjilani do ta ruaj epitetin e kryeqytetit kulturor. E kemi të arritur me punë, me aktivitet të ngjeshur kulturor, me kreativitetin tonë dhe me të mirat që i kemi sjellë. Kjo ekspozitë është diç e re dhe e veçantë, andaj duhet përgëzuar Muhamed Sadriun”, ka thënë Haziri.

Autori i kësaj ekspozite, Muhamed Sadriu, ka thënë se këtë ekspozitë e kanë hijeshuar nëna Zaide e mixha Muharrem, që ishin të pranishëm edhe në ekspozitë.

“Ka shumë njerëz që duhet falënderuar me emër, që më ndihmuan e ishin bashkë me mua, që bënë që të realizohet ideja ime dhe unë i falënderoj të gjithë ata. Sot janë 21 personazhe, që lidhet me shekullin 21 dhe që moshën mesatare e kanë 101 vjet e gjysmë”, tha Sadriu.