Rrjeti i kompanive të familjarëve të AAK-së, betonojnë autostradën Prishtinë - Gjilan

Në emisionin e sotëm “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan gjetjet e një hulumtimi katërmujor i cili zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan.

Furnizimin me beton për autostradës Prishtinë-Gjilan, nga kompania e djalit të zëvendësministrit Rexhep Kadriu, nuk e mohon as ky i fundit.

Rexhep Kadriu është larguar nga pronësia e kompanisë pak muaj më parë .Në intervistë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, Kadriu ka treguar se kompania “Pro- Eng” ka qenë pronë e tij, ndërsa tani është pronë e djalit të tij.

Rexhep Kadriu është larguar nga pronësia e kompanisë para pak muajve.

“Kompania “Pro- Eng” ka qenë pronë e imja, tash është pronë e djalit. Nga pronësia jam larguar para katër ose pesë muajve”, ka thënë Kadriu për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Hulumtimi zbulon se kompania “Pro-Eng”, pronë e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu furnizimin me beton për autostradën Prishtinë-Gjilan e bën përmes disa kompanive të nënkontraktuara.

Edhe vet Kadriu për “Drejtësia në Kosovë” e ka pranuar se kompania e familjes së tij furnizon me beton kompaninë “Morava-Mont”, e cila furnizon me beton punimet në autostradën Prishtinë- Gjilan.

“Kompania “Pro- Eng” është duke bërë furnizimin e kompanisë “Morava-mont” e cila blen beton nga “Pro- Eng” që ka të drejtë çdo kompani të blejë betonin”, thotë Kadriu.

Kameramanët e “Drejtësia në Kosovë” kanë filmuar disa herë kamionët e kompanisë së familjes Kadriu tek bartin beton për punimet e autostradës.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, ka intervistuar drejtorin e kompanisë “Pro- Eng”, Genc Kadriun, në lidhje me hulumtimin se si  kjo kompani furnizon me beton punimet në autostradën Prishtinë- Gjilan.

Genc Kadriu në intervistë për “Drejtësia në Kosovë” nuk e ka mohuar se zëvendësministri edhe pse ka dhënë dorëheqje nga kompania vazhdon të interesohet për fatin e saj.

“Bon vizita në kompani, munden me qenë vizita private por jo vizita të rregullta me qëllime pune”, është shprehur ai.

Në intervistë, Genc Kadriu është zotuar se do të na ofroj shumën e betonit që kanë derdhur në autostradë por përkundër kësaj në email nuk i marrim të dhënat.

“Me që kontrata nuk përcakton vend punishten shembull ‘’ Autostradën ‘’por është kontratë dy vjeçare e përgjithshme për furnizim me beton mes kompanive tona atëherë ne PRO ENG sh.p.k nuk kemi informata se çfarë sasia e betonit është destinuar për autostradë dhe çfarë sasia është destinuar për vend punishte tjera”, thuhet në përgjigjen e Kadriut.

Në lidhje me këtë hulumtim, emisioni ka marr edhe një prononcim nga ish-ministri i infrastrukturës, Lufti Zharku, i cili  ka thënë se është çështje me të cilën duhet të merret prokuroria.

“Kjo është katastrofa e kësaj qeveria, degjenerim total, me këtë rast duhet të merret urgjent prokuroria”, është shprehur Zharku.

Pyetjeve të ekipit për betonimin e autostradës nga njerëzit e AKK-së nuk i ka shpëtuar as kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është pyetur nëse është në dijeni se kompania e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu, nga radhët e AAK-së, i cili po ashtu është emëruar nga vetë Haradinaj furnizon me beton punimet në autostradën Prishtinë- Gjilan.

“Jo nuk e di, duhet me u interesu nëse është e vërtetë. Nuk e di për besë. Është e mundur, por unë sot dëgjova prej juve”, ka thënë Haradinaj.

Ai po ashtu ka falënderuar ekipin që i dha një informacion të tillë pasi, siç duket, ai nuk ka qenë në dijeni.

Gjatë gjirimit të këtij emisioni, ekipi ka hasur në vështirësi, gjatë tentimit të marr prononcim nga ministri i Ministrit  të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili në asnjë formë nuk e ka pranuar ekipin tonë në zyrën e tij.

Lekaj nuk ka pranuar të jap intervistë për emisionin, pasi që ka qenë i informuar se për çfarë teme bëhet fjalë.

Për të marrë një koment nga ana e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj në lidhje me këtë keqpërdorim të parasë publike, ekipi i emisionit e ka përcjellë Lekajn një dëgjim publik që e ka mbajtur në komunën e Junikut.

Në përgjigjen e tij, ministri vetvetiu përmend nën kontraktorët, përmes të cilëve kompania e zëvendësministrit Rexhep Kadriu furnizon autostradën me beton.

“Për çfarëdo, unë i di kontraktorët, unë nuk njoh nënkontraktorë dhe asnjë kompani tjetër që janë përfshirë”, thotë Lekaj.

Ndërsa kur është pyetur nëse është njoftuar nga zëvendësministrit për këtë gjë, ai është shprehur duke thënë se nuk ka nevojë ta njoftojë.

Kur ekipi i “Drejtësi në Kosovë” ka pyetur ministrin nëse kjo është konflikt interesi, ai nuk është përgjigjur.

Kur ekipi e ka ndalur ministrin Lekaj për këto pyetje, Argjend Zejnaj, shefi i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj,  ka porositur  ekipin e “Drejtësia në Kosovë”, të mos i dalin në pritë ministrit me pyetjet të tilla.

“Mos mi dilni ma kshtu në pritë”, paralajmëron Zejnaj.

Për këtë hulumtim, hetimet ka filluar edhe Policia e Kosovës, pas që Drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova ka thënë se ky është rast i shënjestruar dhe është duke u hetuar, por që ende nuk ka ndonjë person të arrestuar.

Për ndërtimin e kësaj autostrade janë paraparë të shpenzohen rreth 66 milion euro.

Emisionin e plotë të “Drejtësia në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: