Rreziku nga Shtëpitë Gjysmë të Rrënuara dhe Bërlloku

Në Rrugën “Abdullah Presheva” të Gjilanit komuniteti rom po rrezikohet nga shtëpitë gjysmë të rrënuara të mbushura me bërllok.

Bejtë Ramadani, përfaqësuesi i këtij komuniteti thotë se më së shumti janë të rrezikuar fëmijët nga mbeturinat, por edhe shembja e mundshme e shtëpive.

“Shtëpi si kjo me atë kulmin sipër janë të rrezikshme dhe shumë shpejt duhet me i rrëzu, por edhe era po na pengon shumë, vështirë është, tash edhe vera  edhe aty hedhin shumë mbeturina edhe qentë rrinë aty”, tha Ramadani.

Në një mbledhje të Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi në Gjilan të zhvilluar më 7 korrik, u tha se në këtë rrugë kompania “Echo Higjiena” nuk i mbledh mbeturinat.

Por Bejtë Ramadani tha se bërlloku nuk mblidhet vetëm te ata që nuk e paguajnë shumën mujore prej 5 eurove për këtë çështje.

“’Ecohigjena’ e merr bërllokun aty ku e pagujnë, pagesa mujore është 5 euro dhe kush e pagun ‘Eco Higjena’ normal që atë detyrë e kanë për me marrë. Ata që nuk e paguajnë i hedhin nëpër shtëpi të tjera, jo vetëm këtu, por edhe shumë shtëpi të tjera janë me bërllok”, sqaroi Ramadani.

Ramadani tregoi se banorët e rrugës “Abdullah Presheva” nuk kanë bërë zyrtarisht kërkesë për heqje të mbeturinave, por tregoi se kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri u ka premtuar largimin e bërllokut.

“Unë kam bisedu me kryetarin e komunës e ai më ka thonë që i ka bo disa projekte për me i pastru shtëpitë ku mundet me hi bateri, po tash varet prej tyre kur bohet kjo, po sigurisht që kjo do të kryhet. Kërkesën zyrtarisht nuk e kemi bo, por bisedime me kryetarin shumë herë” theksoi Ramadani.

Ensar Kadriu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, tha se 8 objekte janë të dëmtuara seriozisht dhe paraqesin rrezik për banorët e kësaj rruge, ndërsa sipas tij ekipet zjarrfikëse është dashur të intervenojnë disa herë.

Por Bejtë Ramadani nuk dëshiron që pastrimi i mbeturinave të lidhet me zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Tash do të jenë zgjedhjet lokale e nashta atëherë ata do të vijnë me pastru për me marrë vota për tjetër jo” përfundoi Ramadani.

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011 në Komunën e Gjilanit jetojnë 361 pjesëtarë të komunitetit rom.