Ilustrim

Rreth 200 Motele Funksionojnë në Kosovë

Këto të dhëna janë pjesë  e raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) me titull: “Kapacitetet e Turizmit (Njësitë Akomoduese) në Kosovë, 2016”.

“Sipas këtij hulumtimi, në vitin 2016 në Kosovë janë identifikuar gjithsej 495 njësi akomoduese, prej tyre 464 njësi aktive dhe 31 njësi pasive. Kapaciteti i njësive aktive është 6 936 dhoma dhe 10 985 shtretër”, thuhet në raportin e ASK-së.

Numri më i madh i njësive akomoduese, sipas ASK-së, gjendet në Komunën e Prishtinës, pastaj radhitet Peja, Prizreni, Ferizaj, e kështu me radhë.

Pjesa më e madhe e dhomave ofrohen nga hotelet dhe motelet.

“Kategoritë kryesore të njësive akomoduese në Kosovë janë hotelet dhe motelet. Hotelet përfshijnë 42% të totalit të njësive akomoduese, ndërsa motelet 39%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në Kosovë ka një rritje të numrit të bujtinave dhe hosteleve.

“Në pjesën tjetër, 19% janë të përfshira kategoritë e tjera të njësive akomoduese, më të vogla në Kosovë, si: bujtinat, hostelet, apartamentet për vizitorë, bungallotë dhe hapësirat për kamping, të cilat janë në zhvillim e sipër”, thuhet në këtë raport.

Mbi 80 për qind e këtyre bizneseve të këtij aktiviteti janë individuale dhe me pronësi private. Akiviteti hotelier numëron mbi 2 mijë e 700 të punësuar.

“Numri i të punësuarve në aktivitetin hotelier për vitin 2016 është 2 791 punëtorë, prej tyre 851 janë femra.

Sa i përket formës ligjore të ndërmarrjeve, 87% e tyre janë biznese Individuale me pronësi private, ndërsa pjesa tjetër e ndërmarrjeve bëjnë pjesë në format e tjera ligjore”, thuhet në raport.