Edhe sot vazhduan punimet për rrënimin e shtëpisë së kulturës në Vushtrri - Foto: KALLXO.com

Rrënimi i premtimit të Kryetarit të Vushtrrisë

Rrënimi i shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri ka vazhduar edhe sot.

Edhe pse ditë pushimi, ekskavatori i kompanisë që e ka fituar tenderin për ta ndërtuar shtëpinë e re të kulturës nuk e ka ndalur punën në rrënimin e shtëpisë ekzistuese.

Rrënimi i shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina” po vjen pas shumë vitesh polemika, akuza e kundërakuza ndërmjet opozitës dhe pushtetit në Vushtrri.

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Vushtrri, në kohën sa ishte në opozitë në këtë qytet, akuzonte Partinë Demokratike të Kosovës se po tenton ta rrënojë shtëpinë e kulturës për të ndërtuar objekte banesore në hapësirat e saj.

Pikërisht LDK-ja parti kjo që sot qeveris në Vushtrri po e rrënon  shtëpinë e kulturës “Hasan Prishtina”.

Kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, i cili vjen nga radhët e LDK-së, nuk ka arritur ta mbajë premtimin e dhënë para qytetarëve të Vushtrrisë në zgjedhjet e fundit lokale se shtëpia e kulturës nuk do të rrënohet.

Foto: Kallxo.com

Tahiri në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kur ka marrë mandatin si kryetar i Komunës e ka gjetur të gatshëm vendimin për nënshkrimin e kontratës për objektin e Qendrës së Kulturës, pasi procedurat kanë përfunduar gjatë kohës së zgjedhjeve.

“Procedurat dhe i gjithë projekti natyrisht kanë qenë të përfunduara shumë kohë më parë. Por çuditërisht krejt prokurimi afër 1 milionësh është filluar e është përfunduar gjatë procesit zgjedhor, ndërsa tërë procesi ka përfunduar vetëm 4 ditë para se ne të marrim detyrën”, ka thënë Tahiri.

Shpëtim Zhegrova, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës po thotë se projekti për rrënimin e pjesshëm të shtëpisë së kulturës në Kuvendin Komunal ka kaluar në mars të vitit 2017.

“Gjithçka ka shkuar sipas proceduarve. Janë mbajtur edhe diskutimet me qytetarë, e kemi diskutuar në kuvend dhe në fund e kemi votuar dhe e tëra ka ndodhur pas vlerësimeve që janë bërë për gjendjen jo të mirë të saj”, tha Zhegrova.

Zhegrova i ka mohuar akuzat e kryetarit Tahiri se vendimet për rrënim kanë ndodhur në kohë fushate.

“Vendimi është nxjerrë në mars të viti 2017 mirëpo është e pakuptimtë qysh Kryetari Tahiri në fushatën zgjedhore premtonte se shtëpinë e kulturës nuk do të rrënohej e që sot ajo veç po rrënohet. Ne gjithashtu jemi akuzuar se do ndërtojmë banesa në vendin e shtëpisë së kulturës. Ata që na kanë akuzuar sot po e zbatojnë projektin e PDK-së për një qendër të kulturës qysh i ka hije qytetit tonë”, shtoi Zhegrova.

Në zgjedhjet e fundit lokale kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri gjatë debatit Jeta në Kosovë  pati premtuar se nuk do ta rrënojë shtëpinë e kulturës dhe se do ta fusë nën mbrojtje të monumenteve.

Kryetari Tahiri ka thënë për KALLXO.com se ditëve në vazhdim do t’i bëjë publike të gjitha vendimet dhe dokumentet sa i përket rrënimit të shtëpisë së kulturës që i gjeti në tavolinën e punës ditën kur nisi detyrën e të parit të Vushtrrisë.

Ai ka premtuar se Komuna do vazhdojë të jetë transparente dhe se asgjë nuk ka për t’u fshehur.

Në bazë të vendimit të marrë në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë në marsin e vitit 2017 qendra e kulturës “Hasan Prishtina” do të rrënohet pjesërisht. Salla e kësaj qendre nuk do të rrënohet ajo do t’i bashkëngjitet objektit i cili pritet të përfundojë brenda dy viteve.

Foto: Kallxo.com

Ky projekt do të kushtojë mbi 1 milion euro dhe do të financohet nga Komunës së Vushtrrisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kreshnik Shehu, përfaqësuesi i kompanisë “ENG Group”, e cila e ka fituar tenderin për ndërtimin e shtëpisë së kulturës, ka konfirmuar për KALLXO.com se projekti nuk ka ndryshuar.

“Ne jemi operator ekonomik dhe nuk e dimë pse nuk është nënshkruar kontrata deri me tani me Komunën e Vushtrrisë, mirëpo tash qysh po shihet puna ka filluar, ashtu qysh është edhe në projekt ashtu do të ndërtohet pra shtëpia e re e kulturës do të ketë bodrumin, katin përdhes dhe dy kate të tjera aq sa është ky objekti ekzistues”, tha Shehu, i cili ka shtuar se një kat i këtij objekti arrin diku rreth 700 metra katrorë.

Në objektin e shtëpisë së kulturës deri në kohën e fillimit të rrënimit të saj kanë funksionuar biblioteka e qytetit, teatri i qytetit, muzeu i Vushtrrisë, ansambli i këngëve dhe i valleve, qendra rinore dhe disa organizata të tjera.

Projekti i ri i ndërtimi të qendrës së re të kulturës  ngre shumë pikëpyetje se sa do jenë hapësirat e saj pas ndërtimit dhe nga kush do të shfrytëzohen, e a do të ketë hapësirë të mjaftueshme për të gjitha këto institucione që kanë operuar brenda saj.

Ajo çka dihet deri me tani është se Vushtrria më nuk e ka qendrën e vjetër të kulturës, e cila përveç emrit që mbante në pjesën e përparme të saj mbante edhe një fotografi të madhe të patriotit Hasan Prishtina e cila nuk është më.