ARKIV: Ceremonia e varriimit të heroit të Kosovës Enver Zymberit - Foto: Facebook

Rrëfimi Policor për Vrasjen e Enver Zymberit

Pesë vjet pas ngjarjes institucionet e drejtësisë ende nuk kanë arritur të japin versionin e tyre final për mënyrën se si ndodhi vrasja e policit Enver Zymberi.

Versioni i vetëm i ngjarjes është rrëfimi i kolegëve, të cilët deri më tani kanë folur vetëm në gjykatë.

Në nisje të tyre hetimet për rastin i ishin besuar prokurorisë së EULEX-it, e cila pretendon se përgjegjës për pjesëmarrje në vrasje janë gjashtë serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës.

Katër prej tyre vazhdojnë përballen me drejtësinë në Gjykatën e Apelit pasi janë shpallur të pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa dy të tjerë nuk janë arrestuar deri më tani.

Ngjarja e 25 korrikut të vitit 2011 nuk ka asnjë version të qartë zyrtar për detajet në të cilat u ndodh kolona e pjesëtarëve të Policisë.

Publikisht pjesëtaret e aksionit nuk janë deklaruar asnjëherë për rrethanat se si ndodhi ngjarja ndërsa versioni i vetëm nga aktorët e ngjarjes ishte rrëfyer gjatë procesit gjyqësor ndaj serbëve të akuzuar në Gjykatën e Mitrovicës.

Policët e njësive speciale kishin përshkruar në gjykatore se në rrugën për në fshatin Zupq kishin hasur në një barrikadë të vendosur nga disa serbë. Pas paralajmërimit autoblinda e policisë, e cila i printe kolonës, kishte nisur të çante rrugën. Protestuesit ishin larguar në drejtim të malit ndërsa krismat kishin filluar.

Isa Salihu, një pjesëtar i Njësisë Speciale kishte rrëfyer në gjykatë se ishte në autoblindën e cila i printe kolonës.

“Policia ka provuar ta hapë rrugën dhe ka provuar një rrugë alternative me të cilën kemi dalë përsëri në rrugën kryesore”, ka rrëfyer Salihu.

Pjesëtarët e Policisë në mjetin e blinduar kishin vërejtur se kolona prapa tyre nuk po lëvizte pasi kishin filluar të shtënat.

“Kam kontaktu me bazën, e cila më ka thënë tërhiquni dhe silleni policin për t’i dhënë ndihmë mjekësore”, ka kujtuar Salihu çastet më të rënda të aksionit të Policisë së Kosovës për ta kthyer kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31.

Dëshmitari tjetër i prokurorisë, polici Bekim Maliqi, kishte qenë në veturën në të cilën u vra Zymberi. Ai ka rrëfyer para gjykatës se kolegu i tij ishte qëlluar pak çaste pasi autoblinda kishte nisur depërtimin për t’i shmangur barrikadat.

“Kur kemi filluar t’i afrohemi autoblindës, ka ardhur një plumb që e ka qëlluar Enver Zymberin në fytyrë”, ka rrëfyer polici Maliqi në gjykatore.

Goditja me plumba e makinës së Policisë kishte shënuar edhe momentin kur edhe Policia ishte përgjigjur me zjarr.

“Ju kemi thënë kolegëve dilni jashtë se jemi në shënjestër”, ka rrëfyer polici.

Ai ka treguar se shkëmbimi i zjarrit kishte vazhduar deri në tërheqjen e kolonës ndërsa nga të gjithë plumbat e shkrepur nuk ishte raportuar ndonjë protestues apo polic tjetër i lënduar.

Babai i tre fëmijëve, polici Enver Zymberi kishte ndërruar jetë pak orë pasi ishte plagosur.

Ai është shpallur hero i Kosovës.

Dita e vrasjes së tij kujton edhe aksionin e policisë për kthimin e policisë në pikat kufitare 1 dhe 31, aksion ky i cili ishte urdhëruar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.

http://kallxo.com/selimi-policia-nuk-kishte-plan-per-nderhyrjen-ne-veri/

http://kallxo.com/kurora-lulesh-te-lapidari-heroit/