Arjeta Gashi - Foto: KALLXO.com

Rrëfimi për 'Luftën' për Pronën nga Gruaja e Divorcuar

Realizimi i të drejtës të barabartë në pronë nuk po kalon pa një betejë jo të lehtë gjyqësore midis nënçmimeve dhe paragjykimeve për Arjeta Gashin.

Një grua nga Prishtina, e cila u divorcua nga burri i saj, iu desh të endet nëpër seanca gjyqësore për të kërkuar të drejtën pronësore që sipas saj ish-bashkëshorti ia ka mohuar edhe përmes falsifikimeve të ndryshme.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ rrëfeu lidhur me rastin që e kishte humbur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Kam kërkuar vetëm mu çfarë më ka taku, gjatë 10 viteve martesë kam investuar shumë, kam punuar gjithë kohën, jam kujdesur maksimalisht për fëmijë”, tha Gashi.

Ajo po ashtu tregoi lidhur me paragjykimet në të cilat kishte hasur nga miq e familjarë por edhe nga zyrtarë në gjykatë gjatë procesit.

“Vetë shoqet e mija më kanë udhëzuar, veshu keq, duku gjynah sepse gjykatësi nuk ka mëshirë për ty. Zyrtarë të Gjykatës më kanë thënë pse po vini të kërkoni pronë të burrit e nuk po e merrni të babës”, tha Gashi.

Gjykata e Apelit e ktheu lëndën e Gashit në rigjykim ndërsa ajo tani së bashku me Anisa Ismajlin kanë filluar të punojnë me një organizatë jo qeveritare që avokon për të drejtat e grave në pronë.

Përballë Jeta Xharrës për çështjen e të drejtave në pronë diskutuan edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Greg Delawie, Ambasador i SHBA-së  dhe Anisa Ismaili, aktore.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: