Ilustrim FOTO- KALLXO.com

Rrëfimi i viktimës së dhunës në familje

“Nëse nuk më mban strehimorja unë do të bëjë vetëvrasje”, janë fjalët e njërës nga viktimat e dhunës në familje në vendin tonë.

Në një rrëfim për KALLXO.com, e njëjta ka rrëfyer historinë e martesës së saj, dhe dhunën të cilën ajo e ka përjetuar gjatë asaj kohe.

“Unë jam e martuar qe 10 vite, i kam tre fëmijë. Kam pasur probleme qysh në vitin 2010. Jam ardh për t`u strehuar në janar të vitit 2010. Kam qëndruar afër tre muajve, pas një kohe e kuptova që jam shtatzënë dhe u dashtë me u kthy prapë për hatër të atij fëmije”, është shprehur viktima.

Ajo ka treguar se  arsyeja e kthimit tek ish burri i saj, i cili kishte ushtruar dhunë tek ajo, ishte vetëm shpresa se nuk do të ndodhte përsëri e njëjta gjë.

“Jam kthyer kam menduar që po bëhet diçka ma mirë po secilën herë keq e më keq, tash kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Dhuna ka vazhduar prapë njëjtë”, tregon ajo.

Viktima e dhunës në familje ka treguar se martesa e saj me burrin i cili ushtronte dhunë në të ishte bërë pa dëshirën e saj, dhe vetëm me dëshirën e familjes së saj.

“Ana e dy palëve, pa dëshirë me u martua njeri në ditë të sodit, nuk po mendoj se është e arsyeshme me jetu me një njeri kur nuk e njeh çfarë familje ka ose qysh është”, tregon viktima.

Siç ka ndodhur edhe shumë viktima të tjera të dhunës në familje në vendin tonë, të cilat e kanë raportuar dhunën në polici, qasja e këtyre të fundit edhe në këtë rast, nuk ishte për t`u dëshiruar.

Viktima ka rrëfyer për KALLXO.com se ka kërkuar ndihmë disa herë nga shteti e nga komuna por asnjëra nga ato nuk i është përgjigjur kërkesave të saj .

“Njëherë nuk kanë dashtë me ni, unë kam qëndruar në rrugë një javë pa strehë, pa ngenë e pa pirë, kam shkuar në polici dhe ju kam thënë se unë do të bëjë vetëvrasje nëse ju nuk më bëni ndonjë zgjidhje, jam ul qaty ”, tregon ajo.

“Kur ju thashë do të bëjë vetëvrasje nuk patën çare, se e panë që puna është shumë keq, pastaj më kanë pyet a dëshiron me shku në strehimore ju kam thënë po, e kam pranuar strehimoren, në të cilën jam e strehuar qe një muaj”, ka shtuar viktima.

Viktima po ashtu ka treguar për fjalët e rënda që i kishte thënë njëri nga zyrtarët policor në kohën kur ajo kishte nevojë për ta.

“Më ka thënë të kishe qenë gruaja ime, jo që ta kisha pre kryet jo me sakicë po me sharrë”.

Ajo ka rrëfyer për KALLXO.com, se njëra nga arsyet e fillimit të dhunës në familje nga ish burri i saj, ishte edhe dëshira e saj për të punuar.

“Rastin e parë e kam pasur në 2010, 2013, 2016… herën e parë e kam pasur me babin e tij problem, e ka pasur urdhër mbrojtjen një vjet e ka pasur të ndaluar të hyjë në shtëpinë time, si kanë ky në shtëpinë time ka filluar dhuna dhe mosmarrëveshja jo s’ka me punu, jo s’ka me bo kështu, jo ashtu”, rrëfen ajo.

Viktima po ashtu ka thënë se shteti shumicën e rasteve nuk po iu del në krahë viktimave por personave që ushtrojnë dhunë mbi to.

“Nuk ka ligj këtu, as nuk ka shtet, ne i themi sado që është shtet por nuk është shtete. Ne gratë i kërkojmë të drejtat tona ata e mbajnë anën e dhunuesit, unë nuk e shoh të arsyeshme këtë. Ka kërkuar shumë herë ndihmë prej tyre, s’po di ma ku me shku, jam dorëzuar, nëse edhe strehimorja nuk më mbanë unë do të bëjë vetëvrasje”, ka rrëfyer ajo.

Ajo u ka bërë apel të gjitha viktimave që të raportojnë dhunën dhe të bëhen zot i vetvetes.

“Ju bëj apel të gjitha grave të Kosovës t`i dalin vetes zot dhe të mbrojnë vetveten”, tha ajo për KALLXO.com

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë periudhës  janar-shtator 2018 janë evidentuar 1129 raste të dhunës në familje.

Nga këto raste viktimë të dhunës kanë qene 901 persona të gjinisë femërore dhe 225 viktima të gjinisë mashkullore.