Nafi Krasniqi, vëllai i Vasfije Krasniqi-Goodman

Rrëfimi i vëllait të Vasfijes nxjerr lot në debatin për dhunën seksuale në luftë

Gruaja që doli për herë të parë publikisht me rrëfimin e saj për dhunimin që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë ka patur efekt inkurajues për viktima të tjera për ta treguar atë çfarë iu ka ndodhur.

Kështu të paktën ka treguar vëllai i Vasfije Krasniqi- Goodman, tashmë aktivistes për të drejtat e të mbijetuarve që ishte dhunuar në moshën 16 vjeçare nga ushtarë serb në Vushtrri.

Nafi Krasniqi ka rrëfyer i emocionuar se si e kishin përballuar familja përjetimin traumatik të Vasfijes dhe çfarë ndodhi menjëherë pas këtij rrëfimi.

Në debatin mbi të mbijetuarët e dhunës seksuale në ‘Jeta në Kosovë’, Krasniqi tregoi rrëfimin e një burri që e kishte kontaktuar atë pas dëgjimit të historisë së Vasfijes.

“Kur Buqja (Vasfija) ka dalë publikisht, mu më thërret një burrë dhe takona me të. Ai ja nis me tregu që kur ka dëgju rrëfimin ai është emocionuar shumë”, rrëfen Krasniqi.

Ai tha se këtij burri për herë të parë i ishte rrëfyer edhe vetë bashkëshortja e tij si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas rrëfimit të Krasniqit, ky burrë ishte sjellur keq me gruan e tij gjatë gjithë martesës për shkak të ‘ftohësisë’ së saj. Ndërsa sipas rrëfimit ai ishte penduar shumë pas dëgjimit të rrëfimit të gruas për atë se çfarë i kishte ndodhur.

Krasniqi iu ka bërë thirrje burrave që të përkrahin dhe dhurojnë dashuri për gratë që kanë mbijetuar këso lloj traumash.

Rrëfimin e plotë të tij mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: