Blerim Devolli në seancën ndaj të akuzuarve Agron Mustafa, Rexhë Gjonbalaj dhe Ejup Qerimi - 21.03.2019 - FOTO KALLXO

Rrëfimi i Blerim Devollit për takimet me shefat e Telekomit

Blerim Devolli, pronar i kopanisë ‘Z-Mobile’ ka rrëfyer para gjykatës për takimet e tij me ish krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi.

Devolli gjatë seancës ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish kryetarit të Bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish kryeshefët e kësaj kompanie publike Agron Mustafa e Ejup Qerimi tregoi se takimet me Mustafën dhe Qerimin ishte takuar në zyret e këtyre dy të fundit në PTK.

“Me Agron Mustafën kam pas një takim zyrtar në zyrën e tij. Qëllimi i këtij takimi ka qenë njoftimi mes nesh dhe Mustafa na ka ftuar.

Rreth implementimit të asaj kontrate kemi bisedu vetëm për problemet të cilat i kemi hasur dhe kemi shikuar a mund të tejkalohen ato. Qëndrimi i Agronit ka qenë të implementohet kjo kontratë. Dhe përveç Agronit që ka kërku m`u shty një afat prej 3 muaj, por pastaj ne e kemi nis procedurën e arbitrazhit, dhe atëherë ka qenë vonë”, Blerim Devolli para trupit gjykues  të kryesuar gjykatësi Lutfi Shala.

Në pyetjet e avokatit Ramiz Krasniqi, Blerim Devolli deklaroi se: “Me Ejup Qerimin jemi takuar në zyret e PTK-së. Në atë takim absolut nuk e kam ditur çka ka m`u bisedu, dhe takimi ka qenë super i ftoftë, ka qenë me fyerje. Bile kanë qenë super të ftohta. Me sha nuk ka sha, por ka pasur sjellje të tilla për deklaratën që e kam dhënë unë në polici”, tha Blerim Devolli.

Në pyetjen e të akuzuarit Ejup Qerimi, Blerim Devolli tha se: “Borxhe ndaj PTK-së nuk kemi pasur, po në atë takim kemi bisedu rreth pretendimeve kinse Z Mobile i ka borxh PTK-së, por asnjë cent nuk e ka borxh”.

“Gjatë periudhës kur ka qenë drejtor Agron Mustafa, s`kemi pasur probleme dhe Mustafa ka thënë se çfarë ka në kontratë po mundohemi t`i zbatojmë. Probleme s`kemi pasur gjatë zbatimit të asaj kontrate. Ndërsa kur ka qenë drejtor Ejup Qerimi kemi pasur probleme, dhe problemet kan qenë për 3g 4g”, tha Devolli.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Lutfi Shala se: Pse e dërguat rastin në arbitrazh?

Devolli tha se: “Përgjegjës ka qenë Vala, pse nuk janë lëshuar këto sim-kartela”.

Ndryshe, ish kryetari i Bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish kryeshefët e kësaj kompanie publike Agron Mustafa e Ejup Qerimi, janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës.

Në seancën e sotme, përfaqësuesit e “Z – Mobile” janë deklaruar se heqin dorë nga kërkesa pasurore-juridike në gjykimin ndaj ish krerëve të Telekomit të Kosovës.

Përfaqësuesi i Blerim Devollit, avokati Driton Musliu tha se: “Heqim dorë nga kërkesa pasurore juridike me qenë se ajo është realizuar në një procedure tjetër juridike pranë arbitrazhit”.

 

https://kallxo.com/ish-kreret-e-telekomit-deklarohen-rreth-fajesise-per-rastin-vala-z-mobile/

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur më datë 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale një kompanie tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Poashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com raportoi në shkurt të këtij viti që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore të marrë në dhjetor të vitit të kaluar.

https://kallxo.com/apeli-i-kthen-ne-gjyq-ish-drejtuesit-e-telekomit/

Me 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurori Special Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z Mobile.

Në vitin 2016 gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.