Rrëfimi i aktivistit të Vetëvendosjes për rrëzimin e kamionëve me mallra serbe

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës që fillimisht kishte marrë vendim për t’i vënë taksë 10 për qind produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, ditë më vonë kishte vendosur që taksën ta rrisë në 100 për qind.

Kanë kaluar rreth 4 muaj dhe Kryeministri Haradinaj po ballafaqohet me presione të mëdha prej vendorëve e ndërkombëtarëve që ta pezullojë taksën. Ai po vazhdon të mbajnë qëndrimin se taksa duhet të mbetet.

Në fillimet e entuziazmit të taksës, kur në Kosovë kishte një mbështetje gati absolute, në Kosovë ekzistonte një diskutim se “Qeveria ka kopjuar idenë e Vetëvendosjes” për mallrat serbe.

Vetëvendosje tash e disa vite ka udhëhequr me fushata kundër produkteve serbe.

Në 2011 ata kishin propozuar një rezolutë për reciprocitet të plotë me Serbinë, e cila ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo disa muaj më vonë ajo rezolutë ishte shfuqizuar.

Lëvizja Vetëvendosje në atë kohë kishte organizuar protesta në dy pikat kufitare më të mëdha me Serbinë, në Merdare dhe Dhe të Bardhë, ku kishin bllokuar lëvizjes e lirë të kamionëve me produkte serbe si dhe kishin rrokullisur maunat me mallra serbe.

KALLXO.com ka biseduar me dy aktivistë pjesëmarrës në këto protesta dhe aksione të Vetëvendosjes, 7 vite më vonë, për të dëgjuar rrëfimin e tyre.

Arind Manxhuka dhe Kreshnik Ahmeti rrëfejnë për KALLXO.com për aksionet e atëhershme të Vetëvendosjes për të mos lejuar produktet serbe të hyjnë në Kosovë.

Manxhuka, që ishte njëri nga të arrestuarit e atyre protestave tregon se për çfarë arsye kishin protestuar më 14 janar të 2012.

Ai rrëfen për ndalesën që Policia e Kosovës i’a kishte bërë protestuesve, të cilët ishin nisur për në pikën kufitare në Merdare.

Ndërsa, aktivisti tjetër, Kreshnik Ahmeti tregon arsyen se pse kishin vendosur të rrokullisin maunën me produkte ushqimore që po vinte nga Serbia.

Sipas tij, në rast se taksa ndaj produkteve serbe largohet, nuk përjashtohet mundësia që aksionet e tilla të ndodhin përsëri.

Dëmtimi i pasurisë së tjetrit është vepër në kodin penal të Republikës së Kosovës. Sipas Vetëvendosjes për rrokullisjen e kamionëve janë arrestuar dy persona, të cilët pastaj ishin liruar me procedurë të rregullt.