Gjykimi për vrasjen e dy vellezërve në Plloqicë - 05.04.2019 - FOTO KALLXO

Rrëfimet e dëshmitarëve për vrasjen e pjesëtarit të FSK-së dhe vëllait të tij në Plloqicë të Malishevës

Fatmire Gashi, gruaja e Bahri Malokut që u vra në Plloqicë të Malishevës, tha se natën e 9 marsit 2018, kishte dëgjuar dy tri krisma.

Më 9 mars 2018 u vranë dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, ndërsa të akuzuar lidhur me këtë ngjarje janë Besim dhe Blerim Maloku, po ashtu vëllezër.

Në gjykimin ku Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Malokun vetëm për armëmbajtje pa leje, para gjykatës së Gjakovës rrëfeu edhe gruaja e të ndjerit Shani Maloku.

Fatmire Gashi tregoi se burri i saj kishte punuar në ndërtimtari.

“Bahriu bashkë me djemtë e axhallarëve kanë luajtur shpesh me letra nëpër shtëpia të ndryshme”, tha ajo.

Ajo tha se Bahriu nuk kishte pasur probleme me askënd e as borgje.

Në seancën e djeshme kishte dëshmuar edhe gruaja e të ndjerit Shani Maloku.

Në këtë proces gjyqësor ka dëshmuar edhe Anita Maloku vajza e të akuzuarit Blerim Maloku.

Ajo tregoi se natën kritike kishin pasur mysafirë nga familja e të fejuarit të saj.

“Rreth orës 7 të mëngjesit kemi marrë lajmin për vdekjen e dy kushërinjve, e pastaj të nesërmen kanë ardhur Policia dhe gjatë bastisjes kanë marrë rrobat e babait”, tha Anita Maloku.

Ajo tha se gjatë bastisjes Policia ju kishte gjetur dy armë, një Kallashnikov dhe një armë të dorës, e njëra ndër to nuk punonte.

“Atë natë kemi fjetur të gjithë para orës 12”, tha dëshmitarja.

Në gjykatoren, dëshmitari tjetër Fisnik Maloku një ndër kushërinjtë e familjes së viktimave Maloku, tha se natën kritike rreth orës 7 të mbrëmjes me veturën ‘mercedes’ të zezë të Blerimit, kishte parë duke e vozitur Besimi bashkë me një djalë tjetër të ri.

“I kam dëgjuar disa krisma, kam dalur jashtë me babain dhe kemi thirrur në telefon Hysni Malokun dhe na ka thënë që “u bo keq”. Dhe kemi shkuar në vendin e ngjarjes”, tha dëshmitari Fisnik Maloku.

Ai tregoi që para disa viteve edhe në marketin e tij afër shtëpisë kishin hyrë hajnat.

Para trupit gjykues Gëzim Pozhegu, Ilir Rashkaj dhe Besarta Doli dha dëshminë e tij edhe djali i xhaxhait të të akuzuarve, Ismet Maloku.

Ai tregoi se lajmin për vdekjen e dy vëllezërve e kishte kuptuar nga disa kushërinj të tjerë.

“Atë ditë në orën 7 të mëngjesit, kam fol në telefon me Besimin, pasi kemi marrë lajmin menjëherë jemi nisur për në shtëpinë e tyre me këqyr çka u bo”, tha dëshmitari Ismet Maloku.

“Besimi në telefon më ka thënë nuk e di se çka ka ndodhë, po dal me këqyr çka u bo”, tha dëshmitari Ismet.

Ismet Maloku tha se të ndjerit Shani dhe Bahri Maloku kanë qenë djemtë më të mirët në fshat.

Ai tregoi se kishte qenë prezent gjatë kontrollit të Policisë.

“Policia në shtëpinë e Besimit e ka marrë një pushkë, të cilën pushkë e kam parë të mbështjellë dhe kam dëgjuar nga policët që është 20-she”, tha Ismet Maloku.

Ai tha se në shtëpinë e Besimit ishin kontrolluar edhe bunarët e ujit.

Menjëherë pas kësaj reagoi mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj, i cili tha se pasi që janë kryer hetimet, pas dy ose tre muajve policia ka shkuar te bunarët për kontrollë.

“Kjo akuzë meriton me e çu për performancë, me e pa se çka bohet”, tha Dodaj në seancë.

Edhe në njërën prej seancave Dodaj kishte thënë që “Aktakuza e Prokurorisë është shembull se si nuk duhet të punohet”.

Në gjykimin e sotëm pati reagime edhe nga babai i të ndjerëve, Tafë Maloku.

“Na ja kemi lënë në dorë drejtësisë por senet po mbulohen. Këtu janë dhënë para për avokat e për krejt senet”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, caktoi datën 14 Maj për daljen në vend të ngjarjes në fshatin Plloqicë të Malishevës, ndërsa datat 15 dhe 16 maj për vazhdimin e gjykimit.

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin sipas prokurorisë nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Nga Prokuroria po akuzohen se kanë privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, njëri ndër ta Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në muajin Dhjetor 2018, i akuzuari Besim ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim Maloku gjendet në paraburgim prej datës 9 mars 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Xhemajl dhe Afrim Malokut.

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.