Foto familjare e Miachel si fëmijë/BBC

Si u infektuan 175 fëmijë britanikë me sëmundjen e HIV rreth 40 vite më parë?

Të paktën 175 fëmijë me çrregullim të gjakut-Hemofili u infektuan me HIV në vitet ’80-ta, sipas dokumenteve nga arkivi kombëtar, raporton BBC. Disa nga familjet e prekura po japin dëshmi në një hetim publik mbi atë që është quajtur fatkeqësia më e keqe e trajtimit në historinë e shërbimit spitalor në Angli.

Ishte pothuajse 36 vjet më parë – në fund të tetorit 1986 – por Linda nuk do ta harrojë kurrë ditën kur iu tha se djali i saj ishte infektuar.

Ajo ishte thirrur në një dhomë konsultimi në Spitalin e Fëmijëve në Birmingham, me 16-vjeçarin Michael.

Si i vogël, ai ishte diagnostikuar me hemofili, një çrregullim gjenetik që ndaloi mpiksjen e gjakut të tij siç duhet.

Linda supozoi se takimi ishte për të diskutuar transferimin e kujdesit të tij në spitalin kryesor të Mbretëreshës Elizabeth në qytet.

“Ishte kaq rutinë sa burri im qëndroi në makinë jashtë”- thotë ajo.

“Pastaj, krejt papritur, doktori tha: “Sigurisht, Michael është HIV pozitiv”, dhe u shpreh sikur të fliste për motin jashtë”.

“Hipëm në makinë, i tregova burrit tim dhe heshtëm gjatë gjithë rrugës për në shtëpi. Nuk folëm asgjë – ishte një tronditje e madhe”.

Foto familjare e Miachel si fëmijë/BBC

Testimi pozitiv, shkak shërbimi spitalor

Ishte ende periudha e hershme në krizën e Sidës – disa muaj para se fushata televizive e qeverisë “Mos vdis nga injoranca” e solli sëmundjen në çdo dhomë ndeje të britanezëve.

Por, stigma e sëmundjes ishte tashmë shumë reale.

Në vitin 1985, dhjetëra prindër i kishin nxjerrë fëmijët e tyre nga një shkollë fillore në Hampshire pasi një nxënës nëntë vjeçar – gjithashtu hemofiliak – kishte rezultuar pozitiv për antitrupat e SIDA-s, siç njihej atëherë HIV.

Michael nuk donte që t’i tregonte miqve apo familjes së tij.

“Kjo është mënyra se si ai e përballoi atë, e mbajti atë për vete, kurrë nuk u tha miqve të tij asgjë, sepse ai thjesht donte të ndihej normal”- thotë Linda.

Mes viteve 1970 dhe 1991 rrreth 1,250 njerëz me çrregullime të gjakut u infektuan me HIV në Mbretërinë e Bashkuar pasi morën Faktorin VIII (trajtim i ri që zëvendësoi proteinën e qarkullimit të gjakut që mungonte në gjakun e tyre) e importuar nga SHBA.

Tani, dokumentet nga Arkivi Kombëtar tregojnë se lista përfshinte të paktën 175 fëmijë, të cilëve i’u dha mjekimi nga mjekët e shërbimi infermieror në spitale, shkolla ose klinika të hemofilisë.

Dhjetëra mijëra të tjerë besohet se janë ekspozuar ndaj hepatitit C, i cili mund të shkaktojë dështim të mëlçisë dhe kancerit, qoftë përmes të njëjtit trajtim ose transfuzionit të gjakut.

Rreth gjysma e të infektuarve me HIV vdiqën nga një sëmundje e lidhur me SIDA-n përpara se të viheshin në dispozicion barnat antiretrovirale që shpëtonin jetën.

Dhurimi i gjakut nga përdoruesit e drogës dhe importimi i gjakut nga SHBA

Në atë kohë, Britania e Madhe nuk ishte e vetë-mjaftueshme në produktet e gjakut, kështu që Faktori VIII u importua nga Shtetet e Bashkuara.

Çdo grup u ishte i përbërë nga plazma e gjakut e bashkuar ose e përzier e mijëra dhuruesve. Nëse vetëm njëri prej këtyre donatorëve ishte HIV pozitiv, atëherë virusi mund të transmetohej.

Kompanitë e prodhimit të ilaçeve në SHBA paguanin individë për të dhuruar gjak, përfshirë disa në grupe me rrezik të lartë, si të burgosurit dhe përdoruesit e drogës.

Linda kujton se i thanë për herë të parë për Sidën në një prezantim në Spitalin e Fëmijëve në Birmingham në vitin 1984 dhe e paralajmëruan të kujdesej për simptoma të caktuara.

Por ajo thotë se familja kurrë nuk u ndërgjegjësua plotësisht për rreziqet – në një moment, asaj iu tha nga një infermiere që të mos shqetësohej pasi “Michael ishte mirë”.

Gjatë gjithë kësaj kohe, djali i saj vazhdoi të trajtohej me të njëjtin mjekim amerikan.

Në fund të adoleshencës së tij, Michael filloi të kishte probleme shëndetësore – nga djersitjet  gjatë natës tek ethet e gjëndrave deri tek një periudhë e një gripi të rëndë.

Por ai vazhdoi ta jetonte jetën, duke udhëtuar, dëgjuar muzikë dhe duke mbështetur klubin e futbollit West Bromwich Albion.

“Kishte një ndeshje të madhe në Wembley dhe ai ishte shumë, shumë i dobët”- thotë Linda.

Më vonë gjatë jetës së tij, derisa sistemi i tij imunitar filloi të binte, Michael humbi peshë dhe përjetoi lodhje dhe humbje të kujtesës.

Foto familjare e Miachel ne vitin 1995, një javë para se të mbushte 26 vjet/BBC

Ai u transferua në Spitalin Heartlands, në Birmingham, ku Linda, e cila hoqi dorë nga puna e saj si kuzhiniere në një shtëpi kujdesi, e ndihmoi ta kujdesej gjatë muajve të fundit të jetës së tij.

“Ai më tha: “Mami, ti nuk do të bëhesh kurrë nan”, dhe unë thjesht i thashë: “Mos u shqetëso për këtë,  kjo është e gjitha që mund të mendoja”- thotë Linda.

Michaelit më pas iu shfaq meningjiti (një inflamacion (ënjtje) e membranave mbrojtëse që mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore) dhe pneumonia – të dyja të shkaktuara nga HIV-i me të cilin ishte infektuar kur ishte fëmijë.

Ai vdiq më 26 maj 1995, saktësisht një javë para ditëlindjes së tij të 26-të.

Seancë speciale

Pothuajse tre dekada më vonë, Linda po jep dëshmi për hetimin e gjatë publik për fatkeqësinë e trajtimit të djalit të saj.

Ajo do të shfaqet përkrah prindërve të tjerë, në një seancë speciale për përvojat e familjeve, fëmijët e të cilëve u infektuan në vitet 1970 dhe 80.

“Ndihesha sikur duhej ta bëja sepse dua të ndihmoj për të arritur deri në fund, ne të gjithë duam të dimë pse u lejua të ndodhte dhe të vazhdojë të ndodhë”- shtoi ajo.

Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social tha: “Tragjedia e gjakut të infektuar nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, derisa hetimi publik u ngrit për të arritur tek e vërteta dhe për t’u dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë.

Linda ka kërkuar që mbiemri i saj të mos publikohet.