Lendita Zeqiraj. Foto: Atdhe Mulla

Regjisorja kosovare eksploron traumën e dhunës seksuale

Filmi i ardhshëm i Lendita Zeqiraj, “Shtëpia e Agës”, analizon pasojat psikokologjike të dhunës seksuale të kohës së luftës dhe asaj në familje, duke treguar historinë e grave që margjinalizohen nga paragjykimet shoqërore në Kosovë.

Aga, një djalosh i vogël shqiptar i Kosovës babai i të cilit është zhdukur, jeton në një shtëpi me pesë gra, të gjitha viktima të dhunës seksuale ose familjare.

Ai arrin t’i shpëtojë jetën njërës prej tyre, duke mbërritur fiks në kohë për të mos e lejuar atë të kryejë vetëvrasje. Pas një pasditeje dramatike dhe ardhjes së mbrëmjes, historitë e pesë grave tregohen duke eksploruar realitetin e një pjese të përjashtuar dhe të margjinalizuar të shoqërisë kosovare.

Ky është skenari i “Shtëpia e Agës”, filmi i ardhshëm i Lendita Zeqiraj, një regjisore e vlerësuar me çmime ndërkombëtare dhe në Kosovë, e cila tha se dëshironte të eksploronte anën njerëzore të vuajtjeve të grave që u sulmuan seksualisht gjatë luftës së viteve 1998-1999 ose që kanë qenë viktima të dhunës në familje.

“Stigma është një nga gjërat që i vret ato kryesisht. Në Kosovë ka shumë viktima të dhunës seksuale që e vuajnë dramën e tyre në heshtje,” tha Zeqiraj në një intervistë për BIRN.

Regjisorja, 46 vjeçe, e cila është realizuese e nëntë filmave me metrazh të shkurtër dhe dokumentarësh, shpjegoi se paragjykimet shoqërore i shtojnë më shumë vuajtjet e grave.

“Ka me mijëra gra të përdhunuara dhe ne kemi vetëm dy ose tre persona që kanë dalë në publik për të folur për këtë. Pse ndodh kjo? Sepse familjet e tyre nuk i kanë pranuar dhe nuk i kanë mbështetur ato. Ambienti jashtë familjeve është akoma më i ashpër, kështu që ka viktima të shumëfishta,” tha Zeqiraj.

“Viktimat femra të dhunës seksuale nuk kanë mbështetje. Ato vazhdojnë të vuajnë atë traumë të brutalitetit të kohës së luftës nga e cila nuk e kanë marrë kurrë veten. Ka një brez fëmijësh që kanë parë skena të tmerrshme dhe janë rritur me këtë traumë,” shtoi ajo.

Përballja me paragjykimet

Regjisorja në sheshin e xhirimit me kastin e aktorëve të filmit “Shtëpia e Agës”. Foto: Atdhe Mulla.

Skenat në filmin e saj nuk janë dramatike, por tregimet po, pasi ata kanë të bëjnë me një temë që mbetet shumë e ndjeshme – dhe jo vetëm në Kosovë. Përveç stigmës në lidhje me përdhunimin, Zeqiraj tha se ajo gjithashtu donte të përballej me patriarkalizmin dhe paragjykimet që ngarkojnë akoma më shumë jetën e viktimave.

“Si shoqëri, ne nuk e kemi trajtuar shumë këtë lloj gjëje. Dhuna seksuale nuk është trajtuar aq shumë, madje as në art,” shpjegoi ajo.

Filmi i saj është shumë aktual në Kosovë. Vitin e kaluar, pas një lufte prej dy dekade për njohje, qeveria i dha të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës statusin zyrtar të viktimave të luftës, duke u mundësuar atyre marrjen e një pensioni mujor prej 230 eurosh.

Në tetor, një grua shqiptare e Kosovës dha një intervistë televizive për përvojën e saj si viktimë e përdhunimit gjatë luftës dhe për luftën e saj të pasuksesshme për drejtësi në gjykatë, duke u bërë gruaja e dytë në vend që flet publikisht për përvojën e saj.

Zeqiraj tha se tashmë ka marrë reagime pozitive për filmin “Shtëpia e Agës”.

“Zërat e parë të kritikëve kanë qenë shumë inkurajues. Pres që njerëzit të gjejnë veten në këtë film. Ky është një reflektim i jetës sonë të përditshme,” tha ajo.

Filmi përfaqëson një skicë të Kosovës gjatë tre dekadave të fundit si edhe i jep zë grave që i kanë mbijetuar dhunës së konfliktit dhe dhunës në familje.

“Nuk është një film vetëm për ofruar emocion,” shpjegoi Zeqiraj. “Ai është gjithashtu një film për t’i bërë njerëzit të ndiejnë realitetin dhe dhimbjen e tyre, të paktën për vetëm pak minuta.”