Drita Fazliu

VIDEO: Si e kujton orën e parë të mësimit pas shpalljes së Pavarësisë mësuesja nga Gjilani?

Një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, të gjitha shkollat orën e parë të mësimit ia kishin kushtuar kësaj dite.

Mësuesja e Shkollës Fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan, Drita Fazliu me mallëngjim tregon emocionet se si e zhvilloi orën mësimore kushtuar shtetit të Kosovës.

“Në vitin 2008 kur është shpallë Pavarësia sa më kujtohet kam udhëheq klasën e dytë dhe emocionet e pa para kanë qenë ngase këtë ditë të veçantë. Këtë ditë të mirëpritur, e kanë pritë jo vetëm nxënësit por të gjithë shqiptarët. Me të vërtetë ka qenë një ditë që s’mund ta përshkruajë emocionalisht”, tha Fazliu për KALLXO.com

Ajo shtoi se nxënësit flisnin për historikun dhe sfidat e shtetit të Kosovës ndër vite.

“Ditën e 18 shkurt 2008 sa mbajë mend e prisnin me padurim nxënësit, dhe flisnin për historikun e shtetit të Republikës së Kosovës. U diskutua e tërë lufta, e tërë emocione, sfida, humbje e sakrifica të gjitha që ndodhën në Kosovë. Por fëmijët mezi prisnin që të fillojmë punën dhe të reflektojnë dëshirën e tyre për këtë ditë madhështore”, kujton mësuesja nga Gjilani.

Mësuesja Drita Fazliu po ashtu thotë për KALLXO.com se nxënësit e saj atë ditë këndonin këngën “Vendi im”, këngë kjo që tregon dashurinë për shtetin.

“Nxënësit reflektonin atë që përmes mediave shfaqnin, këngët ishin të preferuarat e tyre, më kujtohet kënga “Vendi im”, e cila këndohej nga të gjithë këngëtarët e vendit dhe kënduam për vendin tonë. Më kujtohen vjershat që recituan atë ditë, fjalë miradije nga mosha dhe niveli i tyre”, tha Drita Fazliu.

Edhe pas 11 vitesh shtet, Fazliu orën e parë të mësimit e zhvilloi duke marrë mendimet e të vegjëlve për Pavarësinë e Kosovës.

Nxënësit e shkollës “Selami Hallaçi” në Gjilan thonë se janë krenar për vendlindjen e tyre.

“Unë për Pavarësinë e Kosovës kur bëhet unë gëzohem, sepse është vendlindja ime”, tha njëri nga nxënësit.

E ata madje thonë se ndihma më e madhe për Kosovën ka ardhur nga Amerika.

“17 shkurti është dita kur jemi çliruar nga serbët dhe Kosova është bërë shtet dhe kështu ne jemi të lumtur. Amerika ne na ka ndihmuar shumë prej që ishim në luftë”, tha njëra nga nxënëset e klasës së tretë.

Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.