Prishtina e Errët dhe e Ndritshme Nëpër Këngë

Në vitin 2012 tashmë në kulm të famës botërore Rita Ora u kthye në vendlindje për ta xhiruar videon e këngës “Shine Ya Light”.

E larguar nga Kosova në një kohë shumë të errët si foshnjë, ajo më shumë se 20 vjet më pas erdhi në shtetin e ri për një spot plot dritë.

Mbishkrimi Prishtinë nëpër tabelat rrugore të kryeqytetit që u fokusua në video dhe fjalitë shqipe “Rita po vjen, Rita po vjen”, “faleminderit që keni ardhë” dhe “Hajde po kënaqemi” të përziera me tekstin e këngës në gjuhën angleze, asnjëherë nuk arritën të fitojnë më shumë vëmendje sesa kur dolën në klipin e këngëtares së njohur kosovare.

E hipur mbi lartësitë e Prishtinës dhe mbi obeliskun e pavarësisë Newborn me flamurin e Kosovës në zemër dhe simbolin e shqiponjës dykrerëshe të bërë me duar, Ora tregoi dashurinë për vendin nga vinte në videon që vetëm në kanalin e YouTube u pa 16 milionë herë.

Edhe këngë të tjera për Prishtinën dhe nëpërmjet saj edhe për Kosovën mbetën në kujtesë dhe i mbijetuan kohës, por nuk kaluan kufijtë e vendeve ku jetojnë shqiptarët.

Rita Ora
Rita Ora

Kënga si histori

Në vitin 1981 kur ndodhën demonstratat studentore që nisën me pakënaqësi sociale të kthyera në kërkesa politike për republikë, Sabri Fejzullahu me fjalë të Milaim Berishës e kompozim të Musa Piperkut i këndoi pranverës në Prishtinë.

Atëherë kjo pranverë me vargjet “A të kujtohet natë e parë/Shi kur binte në Prishtinë/Unë e ti si dy këngëtarë/Përshpërisnim për dashurinë…”, nuk u kuptua vetëm si një këngë dashurie, por edhe si një dëshirë për liri.

Këngëtari Sabri Fejzullahu për Gazetën Jeta në Kosovë e kujton kohën e para 35 vjetëve kur e këndoi këngën.

“Secila kohë e ka qesëndinë e saj. Atëherë i është kënduar Prishtinës dhe rinisë së Prishtinës në mënyrë figurative, po me plot dashuri,” thotë Fejzullahu.

“Pranvera në Prishtinë” atë e kthen prapa në rininë e tij.

“Kur më kujtohet sot Prishtina, ma kujton fëmijërinë dhe kohën më të bukur- rininë. Më kujtohen rrugët me lloç e pa drita, mijëra e mijëra studentë dhe korzën, shëtitoren e kohës së artë rinore, ku mezi pritsha të binte terri, e të dilja me shëtit mos po e takoj dikënd,” kujton Fejzullahu.

Kenget_Intext_002
Sabri Fejzullahu

Katër vjet më vonë-në vitin 1985 grupi “Gjurmët” njërën nga këngët e paharruara të projektit të tyre të parë muzikor ia kushtoi Prishtinës.

Të pakët ishin ata që e kuptuan atëherë se me vargjet “Eja të shkojmë në Prishtinë/Me çika të mira të rrimë/O eja të shkojmë në Prishtinë!/Në çajtore çaj të pimë”, këngëtari dhe tekstshkruesi Migjen Kelmendi po e kërkonte pikërisht të kundërtën.

Që njerëzit nga pjesët tjera të Kosovës të mos i qepeshin kryeqytetit si shpëtim nga hallet, sepse mund të përfundonin “në periferi, me një tufë fëmijë”, duke mos mundur të përshtateshin në ambientin e ri.

Edhe Eliza Hoxha, këngëtarja që më pas gjithashtu i këndoi Prishtinës, si arkitekte paralajmëron mbipopullim të qyteteve në të ardhmen.

“Prishtina, si edhe qytetet tjera nëpër botë janë në presion të vazhdueshëm të fluksit të njerëzve. Studime të shumta thonë se deri në vitin 2025 – 70% e popullsisë botërore do të jetojë në qytete. Me gjithë këtë presion demografik, nevojë për strehim dhe shërbime të llojeve të ndryshme, qytetet do të kenë sfida të mëdha hapësinore, ekonomike dhe kulturore,” thotë Hoxha.

Kenget_Thumb_001

Por Prishtina e fundit të viteve ’80 dhe fillimit të atyre ’90 kishte probleme më të mëdha se mbipopullimi.

Atë kohë me të vdekur nëpër demonstratat ku kërkohej liri, barazi e demokraci dhe me orë policore të vendosur nga ish-regjimi, e përshkruan kënga “Prishtina” e shkruar dhe kompozuar nga Ilir Berani dhe e kënduar nga Fevzije Konushevci – Gili.

Edhe pse dashuria atëherë ishte si një flakëz qiriri që dridhej e mund të fikej, edhe kjo këngë i kushtohet dashurisë. “Sa shumë kishim dashuri/Në ato ditët studentore/Kur dilnim fshehurazi në shi/Edhe gjatë orës policore,” janë disa nga vargjet e këngës.

Nga këngët për Prishtinën Ilir Berani thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se i pëlqen më së shumti krijimi i tij.

“Mua më pëlqen kënga ime sepse është reflektim i një kohe dhe gjenerate! Përmes dashurisë së dy të rinjve përshkruhet edhe një kohë historikisht shumë e rëndësishme për shtetin tonë. Është urbane. Prishtina ishte dhe është civilizuese. Me dëshirën që të mbetet e tillë i kam shkruar edhe vargjet ‘do vijnë të reja breza… Mos i lëndo Prishtinë,” thotë Berani.

Pastaj lufta heshti këngët dhe prishtinasit e dëbuar dhunshëm e me plan si edhe pjesa më e madhe e kosovarëve u bënë refugjatë nëpër vendet fqinje e më larg.

Këngët e pasluftës: protestë dhe kaos

Liria solli këngë tjera dhe një mënyrë tjetër shikimi të dashurisë dhe Prishtinës si kryevend. Nga çajtoret e grupit “Gjurmët” u kalua te “’kllabat e kafiqat’ e Getoar Selimit dhe tek ‘Rakia e nejat ma sick’ të Adrian Gaxhës, Florian Beqirit dhe Visar Shalës.

Në këtë kohë grupi “Kaos” shfaqi edhe rebelim ndaj Prishtinës dhe përditshmërisë së paorganizuar të pasluftës.

“Vi prej venit ku andrrat mbesin andrra/ Me i realizu t’vogla i ki shancat/ Ngjyra osht e hinit, ndrrohen veç nuancat/ Shumë bërllok e pak ujë, po prapë paguj/ Qishtu jena se gjithë kena shujt,” këndoi grupi “Kaos” në 2009-ën në këngën me titull “Ni Prishtinë që Funksionon”.

Kenget_Intext_003

Në të njëtin vit Eliza Hoxha në “Homazh për Prishtinën” i këndoi kryeqytetit të dikurshëm që po zhdukej nën peshën e ndërtimeve pa leje, pa mbikëqyrje e pa kriter në emër të së resë dhe çlirimit.

Sipas Hoxhës “Nuk janë më/As druri ku rrinim të dy/As lumi ku veten pamë në sy…/ Humbe ti, humba unë/ Humbëm ne, që nuk bëmë më shumë/ Për këtë qytet ku asgjë nuk mbet /Në vendin e vet si dikur”.

Eliza Hoxha thotë se kur humb gjërat për të cilat je e lidhur në një qytet, e humb vetë qytetin.

“Kur jemi te nostalgjia, kjo nuk ka të bëjë vetëm me mua, sepse ne të gjithë kemi përjetimet tona…që lidhen me vendet e caktuara, objektet e caktuara. Dhe, kur ato nuk janë, nuk është as qyteti në të cilin jemi rritur, aty ku kemi përjetuar dashurinë e parë, suksesin e parë, apo edhe zhgënjimet tona. Kujtesa kolektive fshihet dhe mbeten vetëm copëza në memorien individuale,” shpjegon Hoxha.

Hoxha flet për të gjitha Prishtinat e këngëtarëve që janë të ndryshme nga njëra-tjetra.

“Prishtina e Sabri Fejzullahut dhe Shkurte Fejzës është e ndryshme nga Prishtina e Deniza Begollit, grupit ‘Gjurmët’ dhe ‘Lindja’, edhe pse këngët vijnë nga e njëjta kohë. Prishtina e ‘Ritmit të Rrugës’ dhe ajo e ‘Tingullit 3’ na e sjellin edhe Prishtinën e errët, shtresimet që dikur nuk kishim guxim as t’i komentonim, e as t’i shpalosnim me të tjerët. Prishtina kaotike e grupit ‘Kaos’ dhe ‘Homazhi për Prishtinën’ nga unë, sjellin përplasjet e strukturës fizike, gllabërimet dhe problemet mjedisore që Prishtina i ka përditë e më shumë,” thotë Hoxha.

Larg nga “New York, New York”

Por edhe pas luftës nuk mungoi dashuria për Prishtinën. Ajo bile edhe u teprua.

Në vitin 2007, në këngën “Prishtina” të grupit “Aurora”, ku këndoi edhe ish-kryetari Ismet Beqiri, këngë që mund të konsiderohet një version kosovar i “Tiranës” së “West Side Family”, për kryeqyetin kosovar u dëshirua një pamje si e New York-ut.

“Tani dhe rrugët e kohës ndryshuan/ Tani edhe dritat e jetës filluan/ Nesër do jesh i bukur si New Yorku,” iu këndua atëherë si ninullë qytetit të Prishtinës.

Por për këngëtarët tjerë kosovarë ashtu siç Prishtina nuk mund të krahasohet me asgjë me New York-un, edhe kënga “New York, New York” e kënduar nga Liza Minnelli në vitin 1977 dhe më pas Frank Sinatra dy vjet më vonë, është shumë e madhe për t’u krahasuar me këngët për Prishtinën.

“’New York, NewYork’ është bota vetë, është boshti që sillet e tërë bota. Është yrneku për Lirinë, Demokracinë, Dashurinë ndaj njeriut. New Yorku është atdhe i çdokujt që e di vlerën e qenies njerëzore, e Prishtina është dhimbja, kujtimi, gëzimi, nostalgjia e ditëve të mia rinore,” thotë Sabri Fejzullahu.

Edhe Eliza Hoxha flet ngjashëm.

“Ah, janë dy kontekste të ndryshme si qytete dhe natyrisht që edhe këngët për to do të na vijnë ndryshe,” thotë Hoxha.

Kenget_Thumb_002

Prishtina duhet dashur edhe kur të lëndon

Eliza Hoxha e konsideron Prishtinën vend të të gjithë kosovarëve.

“Prishtina u takon të gjithëve, jo vetëm njerëzve që aty jetojnë fizikisht, sepse është kryqendra jonë, sepse është shtëpia jonë e madhe. Ajo që më dhemb është se po zhbahet çdo ditë në emër të ‘zhvillimit’ për përfitimet e grupacioneve të ngushta të interesit. Por edhe ne që s’kemi pasur këso interesa dhe po heshtim karshi këtyre deformimeve, kemi po aq përgjegjësi dhe faj,” thotë Hoxha.

Megjithatë, sipas saj Prishtina duhet dashur edhe kështu si është.

“Ia vlen me provu gjithmonë. Por edhe nëse nuk arrijmë me dashtë Prishtinën, e pakta që mund të bëjmë është ta respektojmë dhe të mos e degradojmë më shumë. Mos t’u kontribuojmë keqpërorimeve dhe zhvillimeve negative. Edhe kjo është njëfarë forme e dashnisë,” thotë Hoxha.

Edhe Sabri Fejzullahu nuk ka dilemë se Prishtina duhet të duhet me të mirat dhe të këqijat e veta.

“Prishtina është vendi ku linda. Ku mësova alfabetin. Ku mbarova shkollimin. Vendi ku kam fis, e ku janë njerëzit e mi, familjarët. Vendi duhet sido që është. Është vendi yt,” thotë Fejzullahu.

Për Ilir Beranin, Prishtina është njëri nga qytetet më interesante të Evropës në bazë të rrëfimeve që dëgjoi nga më të vjetrit dhe përvojave personale që kishte në kryeqytet.

“Prishtina është jeta ime. Qyteti ku nisën dhe u realizuan ëndrrat. Qyteti i buzëqeshjes dhe lotit, i dëshpërimit dhe shpresës. Prishtina nuk më ngjall ndjenja. Ajo më mban gjallë,” thotë Berani.

Ai nuk ka mëdyshje. Po të shkruante prapë për Prishtinën, ajo përsëri do të ishte këngë dashurie.