Reshat Nurboja | Foto: KALLXO.com
Dubrava, i Mbijetuari i Masakrës Rrëfen Kujtimet e Kobshme
‘Unë Dëshmi Kohe’ është libri që përmban rrëfimin dhe dëshminë e Reshat Nurbojës nga Peja për masakrën e Dubravës në vitin 1999, dhe përjetimet e tij në disa burgje të Kosovës dhe Serbisë.
Nurboja, i mbijetuar i masakrës ndaj të burgosurve shqiptarë, është kthyer për herë të parë në vendin e vrasjeve dhe torturave sistematike, për t’u përballur me peshën e kujtimeve në një intervistë për KALLXO.com.
Ai u burgos më 25 korrik të vitit 1998 si pjesëtar i Këshillit të Emergjencës së Pejës, që ka pasur për detyrë të ndihmojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesën tjetër të popullatës shqiptare në zona të luftës.
Pas arrestimit ai ishte dërguar në burgun e Pejës pastaj e kanë transferuar në Mitrovicë dhe pasi që është dënuar e kanë sjellë në Dubravë, ku ka përjetuar atë që ai e quan ‘masakra më makabre ndaj njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur’.
I kthyer pas 17 vjetëve në vendin ku ai përjetoi llahtarin, Nurboja rrëfen për KALLXO.com ditët e masakrës së Dubraves.
“Së pari duhet të theksoj se ka pasur fluturime të NATO-së dhe ne që kemi qenë në Pavionin C që ka qenë pavion i izoluar, ku janë trajtuar të burgosurit kinse më të rrezikshëm, i kemi parë nga dritarja që po fluturojnë dhe ka pasur të burgosur që i lutnin që të na bombardojnë dhe të na shpëtojnë nga ky makth dhe pas dy ditë janë bombarduar dy pavione”, kujton Nurboja.
Ai tregon se kur është bombarduar pavioni në të cilin ka qenë ai, gardianët serbë janë larguar dhe i kanë lënë të mbyllur në qeli.
“Nga detonimi i madh [në] disa dhoma dyert janë hap dhe ne jemi mundu që t’i hapim [të tjerat] dhe t’i ndihmojmë njëri tjetrit. Pas një gjysme ore kanë ardh të burgosurit nga pavioni B të cilët kanë qenë më të lirë dhe me kazma e kanë hapur derën e madhe që ka qenë prej hekuri”, kujton Nurboja.
“A po e sheh çka po ju bëjnë miqtë tuaj amerikanë, po dojnë me ju vra të gjithëve” – zyrtari serb në Dubravë
Ai tregon se të burgosurit kanë kontrolluar dhomat e burgut për të parë për të mbijetuar apo të vrarë.
“Kam shku në çdo qeli me pa nëse ka njerëz [dhe] kur kam shku në një dhomë mbi vrojtuese ku kanë qëndruar gardianët e kam të arsyeshme t’i nxjerr jashtë [të burgosurit e vrarë] dhe kur i nxora, ka ardh ish-shefi i sigurimit nga Peja dhe më tha pse i hoqa të vrarit më detyroi me i kthy në dhomë dhe më tha ‘a po e sheh çka po ju bëjnë miqtë tuaj amerikanë, po dojnë me ju vra të gjithëve’”, tregon ai.
Sipas Nurbojës, ka ekzistuar një plan për t’i vrarë të gjithë të burgosurit shqiptarë.
“Në datën 20 [maj] kemi qenë të lirë se gardianët serbë nuk kanë guxu me hy për shkak të frikës nga bombardimet. Na sugjeruan që të bëjmë qa të duam, të hamë ushqim etj. Kanë hy vetëm kur donin me bë masakra dhe vrasje”.
Nurboja thotë se kur më datën 21 [maj] filluan prapë bombardimet, ku mbetën të vrarë shumë të burgosur dhe u plagosën të tjerë, atëherë ata filluan të kërkojnë mundësi për të shpëtuar jetën e tyre.
“Kur kemi filluar të ikim duke vrapuar disa sekonda pas bombardimit, vinin pjesë të llastrave dhe ja këputnin këmbën dikujt, dikujt kokën dhe nga gjakderdhjet e mëdha kanë vdekur shumë prej sulmeve të NATO-s – jo që kanë sulmuar jo neve por burgun. Në ato dy bombardime kanë vdekur 19 dhe disa dhjetëra të tjerë janë plagosur”, thotë ai.
Nën plumbat e ‘çetnikëve’
Nurboja kujton se gardianët serbë ishin të pamëshirshëm. Ai tregon se si serbët kanë detyruar shqiptarët të këndojnë këngë nacionaliste serbe duke i rrahur dhe duke i quajtur “çetnikë”.
Në fakt, himni famëkeq i çetnikëve serbë, “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je malа”, ishte kënga që gardianët dëshironin më shumë që të burgosurit shqiptarë ta këndonin.
Ai tregon se disa nga shokët e tij u vetëvranë sepse nuk mundën t’i durojnë torturat.
“Një nga ata të burgosur – s’po ia përmend emrin – në atë pavion e ka varë veten”, thotë ai duke treguar me dorë nga qelitë ku ndodhi ngjarja.
Nurboja thotë se masakra e Dubravës nuk ka ndodhur vetëm në disa ditë apo në disa data. Ai thotë se prej kur janë sjellë të burgosurit në Dubravë aty kanë filluar torturat, të cilat ai i quan ‘më të këqija se vetë vdekja’.
“Përtej murit kanë filluar të na gjuajnë me pushkë dhe me bomba dore” – Reshat Nurboja
Ai kujton se në datën 22 maj forcat serbe u thanë të tubohen në fushën e sportit që të përgatiteshin sepse do i dërgonin në një tjetër burg ‘për shkak të sigurisë’.
“Kemi fillu të rreshtohemi dhe para se me u rreshtu, përtej murit kanë filluar të na gjuajnë me pushkë dhe me bomba dore. Jemi kthy, kemi tentu me shpëtu dhe një numër shumë i madh ka dal i vdekur, kurse unë vetë u plagosa këtu dhe kam shkuar zvarrë deri më poshtë dhe kam rënë dhe pastaj shokët më kanë ndihmu. Sipas njohurive që i kemi ne, kanë dalë 99 të vrarë”.
Nurboja ishte plagosur në këmbë por për fatin e tij të mirë, plaga ishte e shërueshme.
Ai thotë se ato ditë, të gjithë janë munduar të gjejnë forma të ndryshme për të shpëtuar, madje disa nga shokët e tij kanë hyrë edhe në pusetat e burgut.
“Në burgun e Dubravës individi ishte i parëndësishëm” – Reshat Nurboja
“Në burgun e Dubravës individi ishte i parëndësishëm, këtu të gjithë të burgosurit ishin heronj të vërtetë. Ata e kanë ruajt identitetin e shqiptarit në atë rrezik kur gjuanin me snajperë e kanë rrezikuar jetën të ndihmojnë të plagosurit të kujdesen për ata dhe njëkohësisht, pastaj të kujdesen për ushqimin”, kujton i mbijetuari i masakrës.
Ai thotë se autoritetet që duhet të ruanin burgun, nga frika se mos u ndodhte diçka, nuk guxonin të hynin aty, dhe u kthyen përsëri vetëm për të kryer masakrën.
“Gardianët kanë qenë frikacakë, policia serbe nuk ka guxu të hyjë burg deri sa janë armatosur pastaj kanë ardhë me vra”.
Pas asaj dite Nurboja kujton se gardianët serbë u kanë thënë që të mblidhen në fushën e sportit ku për çudi thotë se janë sjellë mirë.
Drejt Serbisë
“Ne që kemi qenë pranë dritareve e kemi dëgjuar kur kanë biseduar me radiolidhjet e tyre, kur thonin që ka ardh urdhëri nga Beogradi që ta ndërprejmë aksionin. Ata që ishin aty nuk dojshin me pranu por ai shefi i tyre i ka mbizotëru me frikën nga Beogradi dhe e ndërprenë aksionin. Në atë moment e kanë ndru qasjen ndaj neve ka qenë e vështirë të përballohet dha na thanë të shpërndahemi dhe nesër ju thërrasim për të na dërguar në burgjet ku kanë planifiku”, tregon dëshmitari.
Nurboja thotë se të nesërmen është dërguar në një burg tjetër në Lipjan, ku janë rikthyer torturat dhe rrahjet.
“Na kanë dërguar në Lipjan gjatë rrugës Bullatoviqi dhe përgjegjësit u thonin vozitësve ‘nëse sulmon NATO, gjeje një humnerë dhe kërce nga autobusi, këta nuk guxojnë të mbesin gjallë’. Por ka qenë satisfaksion kur i shihnim policët ushtarë që u frikësonin dhjetë herë më shumë se ne [ndërsa] aeroplani i NATO-së na ka përcjellë nga Dubrava deri në Lipjan”.
“Nëse sulmon NATO, gjeje një humnerë dhe kërce nga autobusi”, – bisedë mes policëve serbë
Nurboja thotë se pas burgut të Lipjanit, disa nga të burgosurit i dërguan në burgun e Nishit e disa në Pozharevc të Serbisë, dhe se gjatë rrugës, gardianët serbë kanë lejuar civilët të hyjnë në autobusë dhe t’i ofendojnë, t’i pështyjnë e t’i rrahin të burgosurit.
Ai thotë se edhe në burgjet e Serbisë ka pasur tortura, dhe për Nurbojën ato përfunduan vetëm me lirimin e tij më 26 korrik të vitit 2000 nga burgu i Mitrovicës së Sremit të Serbisë.
I mbijetuari kërkon me ngulm që masakra e Dubravës të zbardhet, të dënohen keqbërësit duke u bërë thirrje institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.
“Mos ta heshtin masakrën e Dubravës sepse ajo mund të përsëritet diku tjetër” – Reshat Nurboja
“Mos ta heshtin masakrën e Dubravës sepse ajo mund të përsëritet diku tjetër. Duhet të dënohen kriminelët në të gjitha predispozitat ligjore, është gjenocid ndaj të burgosurve se është organizuar nga shteti dhe është zbatu nga shteti. Për fat të keq, ne heshtim për interesa globale e shtetërore por këtë masakër nuk guxojmë ta heshtim”, thekson ai.
Nurboja e ka përfshirë dëshminë e tij të plotë në librin “Unë Dëshmi Kohe”, ku përshkruhen me hollësi të gjitha përjetimet e tij.
Në pritje të veprimit të institucioneve për të zbardhur këto ngjarje dhe duke shpresuar në dënimin e autorëve, Nurboja mban librin e tij në dorë, me shikimin nga vendi shumë nga shokët e tij nuk dolën të gjallë.