Publikimi i Raportit te Monitorimit te Gjykatave - 23.05.2019

Daka: Apeli dhe Themeloret favorizuan persona në raste të caktuara

Valdete Daka, gjykatëse në Gjykatën Supreme të Kosovës, ka deklaruar sot se në disa raste kjo gjykatë ka konstatuar se ka patur favorizime për persona të caktuar nga gjykatat më të ulëta.

Daka këto deklarata i bëri në konferencën e BIRN dhe Internews Kosova ku u prezantuan gjetjet e Raportit Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

“Gjykata Supreme e Kosovës në disa raste ka konstatuar se Gjykatat e substancave me të ulëta ka favorizoi persona në raste të caktuara. Pse këto gabime supreme bëhen mu në këto raste. Gjykata Supreme ka gjetur se në disa raste konkrete Gjykata e Apelit dhe Gjykatat Themelore kanë favorizuar të akuzuarit me arsyetimin se nuk ka prova ose duke mos dhënë arsyetime konkrete për ato lirime”, tha ajo.

Daka shtoi se është mjaftë shqetësuese që për një afat të shkurtër të vërehen gjithë ato shkelje.

“Shkeljet janë bërë mu te rastet e korrupsionit dhe të zyrtarët e lartë shtetëror. Ku qëndron problemi me disa fjali nuk mundet me u spjegu. Nën ombrellën e pavarësisë së vendimmarrjes ndoshta janë bërë keqpërdorime”, tha Daka.

Sipas saj i mbetet Prokurorisë që të hetojë këto parregullsi.

“Kjo i mbetet prokurorisë të hetojë sepse për një kohë kaq të shkurtë të vërehen gjithë ato parregullsi. Është për të të ardhur keq që pas 20 vjetëve ku kemi kushte shumë më të mira, paga, gjyqtarë, prokurorë e megjithatë diçka është duke ngec”, deklaroi ajo.

Daka tutje shtoi se vlerësimi i gjyqtarëve më shumë bëhet formalisht.

“Rregulloret si të tilla si janë më shumë merren me statistika, numra se sa me profesionalizimin e tyre. Rregullorja si e tillë na pamundëson me e bë vlerësimin e vërtetë dhe të merren masa ndaj gjyqtarëve që nuk kanë profesionalizëm”, tha gjykatësja supreme.

Daka po ashtu deklaroi se te rastet e krimeve ekonomike shume prej aktakuzave kanë mangësi.

“Te krimet ekonomike ka aktakuza të cilat janë shumë të mangëta. Ka aktgjykime shumë të mangëta për shkak se gjyqtarët dhe prokurorët fatkeqësisht që nuk janë duke e kuptu esencën dhe ligjet që kanë të bëjnë me prokurim. Duhet të krijohet departamenti që të trajtojë lëndë vetëm të kësaj lëmie. Ka shumë paqartësi edhe në aktakuza e edhe në aktgjykime pastaj”, tha ajo.

Daka shtoi se: “Ish dashtë departamenti për krime të rënda të forcohet më shumë dhe të vihet një theks i veçantë në këtë departament dhe të mblidhen gjyqtarët me të përgatitur nga gjithë Kosova sepse çështjet me të rëndësishme trajtohen në këtë Gjykatë”, tha ajo.

Ndryshe, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova publikuan Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

Ky raport fokus të veçantë ka rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave dhe rastet korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2018, por gjithashtu trajton problemet e tjera të trashëguara, të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren.

Për më shumë, raporti thekson mungesën e efikasitetit në trajtimin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, neglizhencën në trajtimin e rasteve të korrupsionit, dështimin për ta goditur krimin përmes konfiskimit të pasurisë si dhe shkeljet procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.