Rrahja në mal, gjykata shpall vendimin për të akuzuarit nga Vitia

Mevlud Ilazi dhe babai i tij Hazir Ilazi të cilët akuzoheshin nga Prokuroria janë shpallur fajtorë sot nga Gjykata e Gjilanit.

Ata akuzoheshin për veprat penale të armëmbajtjes pa leje, përdorimit të armës dhe lëndimit të lehtë trupor të shkaktuar ndaj të dëmtuarit Ibrahim Beqiri.

Ngjarja sipas dosjes së Prokurorisë kishte ndodhur në vitin 2016, në një pyll në largësi 1 km larg nga fshati Debollde, komuna e Vitisë.

Sipas aktakuzës të akuzuarit ata e kishin goditur të dëmtuarin me grushte.

Ndërsa i akuzuari Mevlud Ilazi e kishte përdorur edhe armën “Kallash AK-47” si mjet duke e goditur viktimën me kondak të kallashit dhe me tytë.

Megjithatë gjatë shqyrtimit gjyqësor i pandehuri Mevlud Ilazi, kishte mohuar se e ka pasur në pronësi armën “Kallash AK-47” dhe se e ka përdorur atë, mirëpo e pranon se të dëmtuarit Ibrahim Beqiri i ka shkaktuar lëndime, duke e përdorur si mjet goditje një motorsharrë, konkretisht me një pjesë mbrojtëse të motorsharrës që është e hekurt.

Sipas tashmë të dënuarit nga Gjykata e shkallës së parë,  Mevlud Ilazi, i dëmtuari Ibrahim Beqiri ka qenë duke e dëmtuar pyllin, pyll në të cilin të akuzuarit ishin duke planifikuar të hapnin një qendër skijimi dhe e kanë pasur të hapur një restorant.

Gjithashtu, i Ilazi ka deklaruar se në përgjithësi nuk i kanë pasur raportet e mira me të dëmtuarin. Prandaj, me qëllimin për ta ndalur të dëmtuarin e ka sulmuar.

I pandehuri Mevlud Ilazi me aktgjykimin e Gjykatës së Gjilanit në përbërje të trupit gjykues të përbërë prej kryetarit Islam Thaçi dhe anëtarët Sahit Boroci dhe Naser Maliqi, në mungesë të provave, u lirua nga akuza për armëmbajtje pa leje dhe për përdorimin e armës.

Ndërsa për shkaktimin lëndimit të lehtë trupor ndaj të dëmtuarit Ibrahim Beqiri, i akuzuari Mevlud Ilazi u shpall fajtor dhe u dënua me 180 ditë burgim, për të cilat u dakordua që t`i kompensojë me të holla prej 2 mijë e 400 euro.

I pandehuri Hazir Ilazi, në mungesë të provave, me aktgjykim u lirua nga të gjitha pikat e aktakuzës.