Rrahja në LDK-në e Mitrovicës mbetet e pahetuar nga organet e ndjekjes

Të dielën e kaluar, gjatë organizimit të zgjedhjeve në nëndegën e LDK-së në Bair të Mitrovicës, një përleshjeve fizike ndodhi ndërmjet disa anëtarëve të kësaj partie.

Prezent në organizimin e zgjedhjeve në këtë nëndegë të LDK-së ishte edhe deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti.

KALLXO.com ka pyetur nëse Policia e Kosovës ka nisur ndonjë procedurë për zbardhjen e këtij rasti, mirëpo forcat e rendit kanë thënë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Prokuroria për një gjë të tillë.

“Policia e ka njoftuar prokurorin, mirëpo kjo e fundit nuk e ka proceduar asgjë, andaj ne nuk kemi nisur ndonjë procedurë për rastin”, tha Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës.

Se nuk ka pasur ndonjë fillim të procedurave për rastin e përleshjes ndërmjet anëtarëve të LDK-së në Mitrovicë të dielën e konfirmoi edhe Prokuroria Themelore në këtë qytet.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë që sipas prokurores kujdestare nuk është hapur rast dhe nuk kemi lëndë të pranuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës për këtë çështje”, tha Valon Preteni, zëdhënës për media i prokurorisë.

https://kallxo.com/perleshje-fizike-ne-degen-kryesore-te-ldk-se-ne-mitrovice/

.