Foto: ZKA

Ritet numri i auditimeve të performancës

Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka dhënë fokus të veçantë auditimeve të performancës nga institucionet.

Kjo sipas ZKA-së po bëhet me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe promovimit të standardeve më të larta për transparencë dhe llogaridhënie,

Gjatë vitit 2018, janë publikuar 13 raporte të auditimit të performancës duke mbuluar fusha të rëndësishme si ekonomia dhe mirëqenia sociale, shëndetësia, arsimi, mjedisi, teknologjia informative dhe prokurimi publik.

Në këto auditime janë dhënë 175 rekomandime relevante për palët përgjegjëse.

Rekomandimet kanë për qëllim përmirësimin e mangësive apo problemeve të identifikuara nga auditimet dhe zbatimi i tyre do të ndikojë pozitivisht në menaxhimin efikas dhe efektiv të programeve qeveritare dhe arritjen e vlerës për paranë e shpenzuar.

ZKA në përcaktimin e temave të auditimit të performances për vitin 2018 ka zhvilluar një dialog efektiv me palët e interesit si Kuvendin, përkatësisht komisionet parlamentare, shoqërinë civile dhe donatorët.

Kjo është bërë me qëllim që t’iu përgjigjet në mënyrë adekuate pritjeve të palëve të interesit, shqetësimeve të qytetareve, si dhe rreziqeve të shfaqura ndaj mjediseve të ndryshme.

Kjo ka ndikuar që të rritet numri i raporteve të auditimit të performancës të shqyrtuara në komisione parlamentare dhe të rritet llogaridhënia në sektorin publik.

“Auditimi i performancës në sektorin publik është një faktor i rëndësishëm për të bërë ndryshimin në jetën e qytetarëve. Ky lloj auditimi i mban të fokusuar zyrtarët përgjegjës në sektorin publik për përdorimin e fondeve publike bazuar në parimin e ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Auditimet e performancës të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë shqyrtime që vlerësojnë nëse sistemet, operacionet, programet dhe aktivitetet e institucioneve publike janë në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, efektivitetit.