Rita Ora

Rita Ora me Bluzë të Dizajnuar për Pavarësinë e Kosovës

Këngëtarja me famë botërore, me origjinë nga Kosova, Rita Ora në profilin e saj në “Facebook” ka postuar fotografinë e bluzës të cilën e ka dizajnuar për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ajo është shprehur shumë e lumtur që do të jetë në Prishtinë për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Këtë njoftim Rita Ora e ka bërë edhe në gjuhën shqipe në postimin e saj në “Facebook”.

“Jam shumë e lumtur që do të jem me ju në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë. Kjo është një bluzë të cilën e kam dizajnuar për këtë rast dhe shpresoj të mbetet një kujtim i mirë për të gjithë ne”, ka theksuar Rita Ora.

Ajo do të jetë e pranishme në koncertin e 17 shkurtit i cili do të mbahet në sheshin ‘Skenderbeu’ me fillim nga ora 20:00.

Agjendën zyrtare për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke përfshirë edhe koncertin e Rita Orës mund ta lexoni këtu.

Bluza e dizajnuar nga Rita Ora për 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Foto: Facebook