Tuneli Mitrovicë

Rinisin punimet në tunelin e Mitrovicës - FOTO

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se sot kanë rifilluar punimet në sanimin e tunelit të Mitrovicës në rrugën nacionale N2 dhe ato do të përfundojnë për 20 ditë.

MIT mirëkupton shqetësimet e banorëve të Mitrovicës për shkak të zgjatjes së punimeve në këtë tunel.

“Ju informojmë se si pasojë e vjetërsisë së madhe të tij, është parë nevoja për punë shtesë në katërfishimin e izolimit, që ky tunel të mos përballet më asnjëherë me probleme, pas përfundimit të rinovimit të tij. Prandaj, për shkak të punëve shtesë është reviduar i tërë projekti. Përkundër përpjekjeve, me qëllim që punët të kryhen me cilësinë më të mirë të mundshme, ka qenë e pamundur të punohet në temperatura minus”, thuhet në njoftimin e MIT.

MIT po ashtu lut qytetarët që të kenë mirëkuptim dhe të mos pengojnë zhvillimin e punimeve. “Protestat si formë e shprehjes së pakënaqësive janë e drejtë e garantuar me ligj, por kërkojmë nga partitë politike të mos përdorin qytetarët për interesa të ngushta partiake”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Infrastrukturës.