Objekti i ri i Kamunës së Kamenicës që po ndërtohet – Foto: Facebook

Rinisin Punimet në Objektin e Ri të Komunës së Kamenicës

Pa probleme kanë rinisur punët për ndërtimin e objektit të ri të Komunës së Kamenicës.

Punimet qenë ndërprerë më 19 maj nga rojet e objektit, të cilët kështu protestonin kundër mospagimit të 20 pagave nga kompania që më parë ishte duke I kryer punimet.

KALLXO.com kishte shkruar për këtë incident.

Punimet në këtë objekt kishin filluar qe 5 vjet, por për shkak që Komisioni Evropian kishte ndërprerë kontratën e punës me kompanitë e kontraktuara më herët objektet kishin mbetur në gjysmë.

http://kallxo.com/rojet-bllokojne-punimet-ne-objektin-e-komunes/

Në mars të këtij viti Bashkimi Evropian përfundimisht ka arritur të zhbllokojë punimet rreth ndërtimeve të objekteve të reja komunale në Kamenicë, Kllokot e Viti.

Në debatin televiziv parazgjedhor “Jeta në Komunë“ të vitit 2013, tash kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, kishte premtuar që punimet e objektit të ri të Komunës do të përfundonin në vitin e parë të qeverisjes së tij.

Por ky premtim i tij po jetësohet vetëm pas 3 vitesh në pushtet.

Gjatë ditës kryetari i Komunës me bashkëpuntorë kanë parë nga afër rifillimin e punimeve.
Kryetari Sinani ka folur për jetëgjatësinë e projektit aktual dhe nevojës për ta përfunduar sa më parë objektin.
“Në identifikimin e problemeve kam paraqitur përfundimin e projekteve të filluara më parë dhe ne po arrijmë të përmbyllim edhe këtë projekt që ka qenë i domosdoshëm për ne. Me përfundimin e këtij projekti qytetarët do të kenë shërbime më të mira dhe më të shpejta nga administrata komunale sepse do t’i kenë të gjitha shërbimet në një objekt të vetëm dhe do të këtë transparencë më të madhe”, ka thënë ai.

Sipas kontratës pritet që punët të përfundojnë brenda 6 muajve dhe që në janar të vitit 2017 të bëhet inaugurimi.