ATK / FOTO KALLXO

Rimbursimi, procedurë e vështirë për tatimpaguesit

Në anketën e zhvilluar me tatimpagues për vitin 2017 nga Administrata Tatimore e Kosovës lidhur me transparencën dhe shërbimet e ATK-së, rimbursimi është vlerësuar si procedura më e vështirë.

Vetëm 46.9% të anketuarve e kanë vlerësuar si të lehtë procedurën e rimbursimit,  27.6% si të vështirë dhe rreth 26% janë përgjigjur se nuk e dinë.

Në rimbursim të TVSH-së, 12% e të anketuarve kanë pasur rast konkret të paraqitjes së kërkesës për rimbursim. Prej tyre 62% e kanë vlerësuar procedurën të lehtë dhe 36% si të vështirë.

Në parashtrimin e kërkesave për rimbursim të TVSH-së, 83% kanë marrë përgjigje përfundimtare nga ATK, ku  prej tyre 45% janë rimbursuar dhe 39% nuk janë rimbursuar.

Në vitin 2017, bizneset thonë se rimburimi i mjeteve është lehtësuar. Derisa në vitin 2015, 52.5 % e bizneseve e kanë konsideruar procesin e  ribursimit  të vështirë, në vitin 2017 kjo ka rënë në 27.6 %.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri tha se është i gëzuar për faktin që ka pasur përparime deri në 30%, krahasuar me raportin e vitit 2015.

Sipas tij, ATK është orientuar drejt ofrimit të shërbimeve elektronike e krijimit të aplikacioneve që lehtësojnë përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve.

“Jemi të përkushtuar që të punojmë me përfaqësuesit e bizneseve, që të mbështesim të gjitha përpjekjet për një zhvillim sa më të madh ekonomik dhe konkurrencë të ndershme në treg”, tha ai.

Sipas tij, prioritet i ATK-së është luftimi i informalitetit në Kosovë e posaçërisht ekonomia e hirtë, ku ATK-ja ka përgjegjësi.

Udhëheqësja e GIZ-it për “Reformë në Sistemin e Financave Publike në Kosovë’, Kadri Jõgiste tha se është e kënaqur me anketën e ATK-së, sepse sipas saj ATK-ja është duke bërë përpjekje që të rregulloj raportet me tatimpaguesit.

Sipas saj, e gjithë kjo ka të bëjë me ndërtimin e besimit tek tatimpaguesit sepse duan që t’i stimulojnë ata që të bëjnë pagesën e tatimeve në mënyrë vullnetare.

“Kjo anketë tregon për shërbimet e përmirësuara nga Administrata Tatimore e Kosovës”, tha Jõgiste.

E drejtoresha menaxhuese e UBO Consulting, Valmira Rexhbeqaj ka bërë prezantimin e anketave dhe rezultateve që kanë dalë nga kjo anketë për vitin 2017.

Ky hulumtim është financuar nga GIZ dhe u implementua nga UBO Consulting.