Arkiv- Kartëmonedha euro - Foto: REL/AFP

Rihapet gjykimi ndaj ish-kontabilistes, e akuzuar për përvetësimin e mbi 26 mijë eurove

Është rihapur edhe një herë shqyrtimi gjyqësor ndaj  ish-kontabilistes së kompanisë “Alma”, Natyra Reka, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Sipas aktakuzës, Natyra Reka akuzohej se kompanisë “Alma” i ka shkaktuar dëm prej 10.360,00 euro, por prokurori Feti Tunizliu në fjalën përfundimtare e kishte precizuar aktakuzën duke vlerësuar se dëmi i shkaktuar është 26.795,22 euro.

Edhe pse sot ishte paraparë të shpallej aktgjykimi kjo nuk ndodhi për arsye se kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi e rihapi edhe një herë shqyrtimin gjyqësor.

“Pas analizimit të shkresave të lëndës dhe provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues ka vendosur për ta rihapur shqyrtimin gjyqësor me qëllim që të konstatohet saktësisht se sa është vlera e dëmit që pretendohet se e akuzuara i ka shkaktuar të dëmtuarës”, tha gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Gjykatësi Ibrahimi gjithashtu ka deklaruar se trupi gjykues ka ardhur deri në këtë pikë për shkak se në këtë rast janë të përfshira dy lloje të provave –  një grup të dëftesave sipas të cilave e akuzuara ka pranuar para në emër të shitjes së mallrave dhe këto para sipas konstatimit të ekspertit nuk i ka dorëzuar në arkë.

Tutje ai tha se për këtë pjesë trupi gjykues nuk ka pasur paqartësi, por problemi sipas tij është për pjesën tjetër të regjistrimit të mjeteve të ndërhyrjeve të kartelës së njërit prej blerësve, por nuk është definuar se nga kush ka pasur ndërhyrje.

Ndryshe gjykatësi Ibrahimi deklaroi se eksperti Riza Blakaj pas plotësimit të ekspertizës financiare do të ftohet në shqyrtimin gjyqësor që të deklarohet para trupit gjykues dhe palëve.

Gjithashtu tha se e akuzuara pretendon se më 23 maj 2011 në ditën kur pretendohet se ka kryer vepër penale ka qenë në Republikën e Maqedonisë, duke prezantuar edhe një pasaportë me vulë hyrëse në Maqedoni, por nuk ka provë për hyrjen në Kosovë.

Më pas ai tha se trupi gjykues ka vendosur që të kërkohet nga Policia e Kosovës edhe verifikimi i hyrje-daljes së Natyra Rekës më 23 maj 2011, në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut.

Vlen të ceket se në sallën e gjykimit nuk ishte e pranishme e akuzuara por vetëm bashkëshorti i saj dhe mbrojtësi – avokati Mentor Neziri.

I pranishëm nuk ishte as prokurori i shtetit Fetih Tunuzliu.

Ndërsa seanca e radhës është shtyre në afat të pacaktuar.

Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë më 25 maj 2016 ndaj Natyra Rekës me pretendimin se e njëjta kishte kryer veprën penale – përvetësim në detyrë.

Sipas aktakuzës e pandehura Reka në cilësinë e kontabilistes në kompaninë “Alma”, sh.p.k, si person zyrtar pretendohet se kishte përvetësuar pasurinë e cila i ishte besuar si kontabiliste.

Në aktakuzë thuhet se Reka gjatë periudhës kohore nga 26 maji i vitit 2011 e deri më 3 tetor 2012 nuk e kishte dorëzuar rregullisht pazarin ditor në llogarinë rrjedhëse të “Alma” sh.p.k., me ç ‘rast të njëjtës i kishte shkaktuar dëm në shumë prej 10.360,00 euro.