Rezervuarët Rrezikojnë Vushtrrinë

Fabrika e llamarinës “Llamkos Galva Steel” që 3 muaj ka mbetur vetëm me dy punëtorë të sigurimit brenda saj, pasi që të tjerët janë në pushim kolektiv.

Përveç që është ndërprerë prodhimi qe 6 muaj, kësaj fabrike i është shtuar tani edhe një rrezik- mundësia e shpërthimi të rezervarëve të Propan – Butanit dhe Amoniakut.

Këta rezervuarë kanë mbetur pa përkujdesje të punëtorëve dhe ekspertëve që i kanë mirëmbajtur, ndërsa tani atyre depozitave u mungon edhe sistemi i ftohjes.

Kjo vjen pasi që KEDS-i ia ka shkyçur energjinë elektrike kësaj fabrike për shkak të mospagesës së borxhit.

Përveç KEDS-it, kjo fabrikë borxh u ka edhe punëtorëve të saj.

Enver Isufi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Llamkos-it”, ka paralajmëruar për rrezikun nga depozitat e këtyre rezervuarëve gjatë protestës së fundit të punëtorëve për kthimin në vendet e tyre të punës.

“Për shkak të rrezikut që vjen nga stacioni i gazrave brenda në fabrikë, pasi që mungon përkujdesja e punëtorëve për ata rezervar, përgjegjësinë e bart vetë pronari i kësaj fabrike, duke treguar se më anë të një shkrese e kanë njoftuar edhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë”, tha Isufi.

Njëri nga ekspertët e kësaj fabrike i cili dëshironte të mbetet anonim, tregoi se sasia brenda këtyre rezervarëve është diku rreth 10 tonë dhe në rast të shpërthimit të tyre ata do të shkatërrojnë gjithçka në hapësirën rreth 5 kilometra katrorë.

Enver Keqolli, punëtori  operativ në Stacionin e Gazit brenda “Llamkos-it”, gjithashtu alarmon rrezikun nga këto depozita.

“Meqenëse në fazë të lëngët kanë pak, po aq edhe më keq kanë në fazë të gaztë, e cila në temperatura të larta është shumë rrezik për popullatën afër fabrikës”, tha Keqolli.

Në anën tjetër, Nezir Klinaku, drejtori i Drejtorisë së Emergjencave në Komunën e Vushtrrisë, theksoi së janë njoftuar nga Sindikata e Punëtorëve të “Llamkos-it” për këtë problem.

“Komuna e Vushtrrisë, është e njoftuar më këtë rrezik. Ne edhe para 3 muajve kur kësaj fabrike i është shkyçur rryma, bashkë më njësitin e zjarrfikësve i kemi mbajtur nën kontroll. Drejtoria jonë edhe tash është në gjendje gatishmërie për ta mirëmbajtur atë stacion të gazit”, ka thënë Klinaku.

Ai shtoi së sa i përket këtij rreziku është njoftuar edhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, mirëpo thotë së rreziku nga ky stacion gazi vjen vetëm në temperatura të larta.

Kurse zyrtarë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila e privatizoi para tre vjetësh këtë fabrikë dhe privatizimin e saj e quajti si shumë të suksesshëm, thanë se ata nuk e kanë përgjegjësi të merren me rezervarët, pasi që kjo është në përgjegjësi të blerësit për ofrimin e sigurisë brenda hapësirës së ndërmarrjes.

“Megjithatë, Agjencia gjatë javës së ardhshme do të realizojë vizita në këtë ndërmarrje për të parë gjendjen reale për këtë dhe çështje të tjera në përputhje me obligimet ligjore”, tha Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP.

Zëdhënësi Kaloshi se për shkak të mospërmbushjes së kontratës së blerësit ndaj Agjencisë, me vendim të Bordit të Drejtorëve, AKP-ja ka shqiptuar ndëshkime ndaj blerësit.

KALLXO.com-i ka kontaktuar edhe drejtorin gjeneral të “Llamkos Galva Steel-it”, Vehbi Selmanin,  por ai tha se më nuk është përgjegjës për asgjë që ndodh në këtë kompani.

“Mos më thirr më, unë nuk jam më drejtor dhe tani kam punë vetëm me pronarin e ‘Llamkosit’”, tha Selmani përmes telefonit.

Ndërsa Armend Blakçori, drejtor për Operim në fabrikë, tha se shumica e menaxhmentit e kanë lënë punën, përfshirë edhe atë.

Ai nuk deshi që në të komentonte në lidhje me rrezikun në fabrikë.