Revista e parë shkencore nga Kosova e pranuar në EBSCO

Revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është pranuar në EBSCO pas një viti të marrjes së numrit ISSN, i cili është kodi ndërkombëtar i standardizuar i cili identifikon të gjitha botimet, revistat, revistat, periodikët pavarësisht nga mediat e tyre (të shtypura ose elektronike).

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu- Rugova përmes një publikimi në rrjetin social Facebook ka treguar se revista e seminarit është pranuar në EBSCO.

“Sapo me erdhi emaili zyrtar me marrëveshjen bashkëngjitur, ku konfirmohet se Revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhen, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është pranuar nga Bordi i platformës EBSCO, që të përfshihet zyrtarisht në të. Pas konkurrimit në qershor 2018, në gusht më njoftuan që e kemi kaluar pozitivisht recensionin ndërkombëtar e tash që jemi përfshirë në të. Dua të theksoj se kjo është një e arritur shumë e madhe e Fakultetit të Filologjisë, sepse mund të jetë (nuk jam 100% e sigurt) revista e parë shkencore nga Kosova, natyrisht, në bashkëpunim me Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë, nga shkencat filologjike që është pranuar në këtë platformë”, ka shkruar Rugova.

EBSCO është bazë e të dhënave kërkimore për bibliotekat akademike.