E akuzuara Resmije Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Resmije Bytyqi nuk e thotë asnjë fjalë në gjykimin për vrasjen e burrit të saj

Resmije Bytyqi nuk ka dashur të flasë gjatë dhënies së mbrojtjes në gjykimin për vrasjen e bashkëshortit të saj, Abedin Bytyqit.

Ajo po akuzohet për shtytje të vrasjes së bashkëshortit.

Kur iu dha mundësia të deklarohej, e akuzuara Resmije Bytyqi në seancën e së mërkurës tha shkurtimisht: “Nuk du me fol”.

Ajo e mbështeti fjalën e mbrojtësit të saj.

Mbrojtësi i Resmije Bytyqit, avokati Bashkim Nevzati, tha se deklarimet e mëparshme kanë konsumuar të gjitha mundësitë lidhur me deklarimin e saj për këtë çështje.

“Andaj, as mbrojtja nuk do ta marrë në pyetje por as ajo nuk do të deklarohet”, shtoi avokati.

Resmije Bytyqi akuzohet se pas takimeve paraprake që i ka pasur me të akuzuarin Murat Ademi, ajo me dashje e shtytë të njëjtin për të kryer vrasjen e bashkëshortit të saj, Abedin Bytyqit.

Sipas Prokurorisë, e pandehura i ka kërkuar të akuzuarit Murat Ademi të kryente vrasjen me arsyetimin se burri i saj po e maltretonte, rrihte dhe keqtrajtonte.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se Resmije Bytyqi i kishte thënë Murat Ademit se nëse ai nuk ndërmerr ndonjë veprim, do të porosiste ndonjë person tjetër për të vrarë bashkëshortin e saj Abedinin.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga Resmije Bytyqi, në bashkëpunim me vëllanë e tij, Reshat Ademin, më 06 tetor 2016, rreth orës 15:30, kanë ndërmarrë veprime me qëllim të vrasjes së Abedin Bytyqit.

Prokuroria pretendon se Murat dhe Reshat Ademi viktimës ia kanë lidhur këmbët dhe duke e dërguar në një vend të panjohur, e duke shfrytëzuar rrethanat se viktima ishte i lidhur dhe i pambrojtur, e godasin me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Të njëjtit, sipas Prokurorisë, në mënyrë mizore dhe barbare, me qëllim të shkaktimit të dhembjeve të mëdha fizike dhe psikike viktimës ia vënë flakën, duke i shkaktuar dhimbje dhe lëndime vdekjeprurëse, të cilat shkaktojnë vdekjen e tij e pastaj e hedhin në gropë dhe e mbulojnë me dhe.

Në Gjykatën e Prizrenit të akuzuarit po japin mbrojtjen e tyre në gjykimin për vrasje të rëndë të kryer në Peqan të Suharekës.

KALLXO.com ka raportuar se po në këtë seancë ka pasur kërcënime dhe përplasje fjalësh e tensione ndërmjet të akuzuarve gjatë seancës.

Gjatë kohës kur Fadil Fetiu po jepte mbrojtjen e tij, në përfundim të deklarimit shtoi se “Murat Ademi e ka kryer vrasjen e Abedin Bytyqit për motive të ulëta”.

Murat Ademi, i akuzuar për vrasjen e Abedin Bytyqit, kërkoi t’i parashtronte pyetje Fadil Fetiut, por ky tha se nuk do të përgjigjet në pyetjen e tij.

E kur trupi gjykues vendosi që i akuzuari Murat Ademi të largohej nga salla për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë, i njëjti iu vërsul të akuzuarit Fadil Fetiu dhe dhe iu drejtua me fjalët: “Prej sot je i vdekur o Fadil Fetiu!”. Por gardianët e burgut e ndaluan t’i afrohet më afër.

Gjithashtu Murat Ademi iu drejtua edhe mbrojtësit të Fadil Fetiut avokatit Esat Gutaj me fjalët se: “Edhe ti ruju prej sot!”.

I rrethuar nga 4-5 gardianë të burgut Murat Ademi u largua nga salla me forcë.

KALLXOo.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e seancave për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

I akuzuari i parë që ka paraqitur mbrojtjen e tij ka qenë Murat Ademi, i cili në dy seanca që kishin zgjatu gjatë tërë ditës, kishte treguar para trupit gjykues për ngjarjen e ndodhur, edhe në prani të Avdi Bytyqit, babait të viktimës.

Ndërsa pas Murat Ademit, për të paraqitur mbrojtjen e tij është paraqitur i akuzuari Fadil Fetiu.

Sipas aktakuzës Fadil Fetiu duke qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale të vrasjes së rëndë, e duke mos e lajmëruar një fakt të tillë, ka kryer veprën penale të moslajmërimit të veprës penale apo kryerësit.

Fadil Fetiu gjatë gjithë kohës sa kishte dhënë mbrojtjen e tij kishte kundërshtuar akuzat dhe deklarimet e të akuzuarit Murat Ademi, i cili gjatë deklarimit të tij në dy seanca të gjata dhe në një rrëfim të gjatë, e kishte ngarkuar për krimin e kryer.

Fadil Fetiu me të filluar mbrojtjen e tij kishte deklaruar se  “e kanë marrë njeriun prej shtëpisë time me dhunë, s’kam pasë çka me ba, s’kam mujtë me i ndihmue”, pasi që sipas tij i akuzuari Murat Ademi me veturën e tij e kishte marrë nga shtëpia e të akuzuarit Fadil Fetiu tashmë të ndjerin Abedin Bytyqi, të cilit fillimisht ia kishte lidhur duart.

https://kallxo.com/plaku-shperthen-ne-lot-ma-vrane-se-ma-vrane-djalin-po-pse-ja-djege-trupin/

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit.

Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrikë në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi.

Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes.

Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.

Nga të gjitha veprimet prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyqin shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.