Reportazh: Fantazmat e Kumanovës

Të tre ne qëndrojmë në heshtje dhe pa lëvizur, në sigurinë relative të territ të pyjeve të thella në një vendndodhje sekrete në Ballkan. Kur je në errësirë, me qetësi mund të menaxhosh ankthin në anonimatin e maskimit rrethanor dhe të dëgjosh edhe zhurmën më të vogël që mund të shndërrohet në alarm. Megjithatë është e vështirë të dëgjosh diçka nëpër erën e fortë që shkund pemët nën qiellin e natës.

Nuk ka hënë dhe një ndriçim i zbehtë nga lart shfaq vetëm konture të paqarta të terrenit, silueta pemësh dhe një gardh. Ne presim për të ftuarin tonë dhe pjesën tjetër të skuadrës. “Thuhet se në këto pyje ka derra të egër”, thotë një nga djemtë duke parë më kot nga shkurret e zymta përreth.

Derrat e supozuar mund të jenë problemi më i vogël. Presim të marrim një intervistë me një luftëtar  guerilas (të supozuar), i cili ka marrë pjesë në përplasjet e armatosura të 9 majit 2015 ndërmjet forcave qeveritare të sigurisë dhe luftëtarëve shqiptarë në qytetin verilindor të Kumanovës në Maqedoni.

Pas përfundimit të luftimeve, i hymë zonës së përleshjeve në çdo pëllëmbë dhe intervistuam dhjetëra dëshmitarë duke marrë të njëjtën përgjigje: askush nuk pa dikë, askush nuk dinte asgjë. Por beteja ishte e vërtetë, ashtu si gjaku që kishte njollosur dyshemetë dhe muret e ndërtesave të sakatuara. Na ngjau sikur ishim në kërkim të fantazmave.

Tani shpresojmë të hedhim më shumë dritë mbi misterin që mbulon ngjarjen. Një mori pyetjesh dhe dyshimesh janë ngritur, duke përfshirë: kush ishin në të vërtetë luftëtarët, kush i organizoi dhe mbështeti, pse rrokën armët dhe udhëtuan nga Kosova në vendin fqinj?

Shikoj orën dhe sinjalizoj tri herë me dritë drejt perëndimit. Pastaj pres duke mos ditur nëse sinjali është marrë dhe nëse pozicioni ynë i është zbuluar vetëm tanëve. “Na duhet të provojmë dritën e kamerës ndërkohë”, vëren kolegu. Një shpërthim i bardhë ndriçon tre-katër metra rreth nesh, duke verbuar gjithçka përtej asaj pike. Me kaq shkoi edhe maskimi ynë.

Vendndodhja e intervistës është e izoluar dhe mundëson më shumë privati, por mbetet një mjedis i huaj për ne. Një nga djemtë vëren se kjo situatë është gjithqysh më e mirë se të të lidhin sytë dhe të ngjishesh në një furgon me burra të armatosur që të çojnë në një strehim sekret. “Do të doja ta dëshmoja këtë ngjarje vetëm nëpër filma”, pëshpërit ai. Një ndjesi e lehtë paranoje konsiderohet e shëndetshme në rrethana të tilla.

Dëgjoj një kërcitje të mbytur në largësi, të ndryshme nga shkundja e degëve, dhe kërkoj që dritat të fiken. Një ndriçim i vockël shfaqet përmes pemëve rreth 20 metra tutje dhe pastaj asgjë. Shfaqet sërish duke u avitur shumë ngadalë. Mundohemi të sinkronizojmë dëgjimin në atë drejtim, por zhurma e erës na e bën të pamundur.

Më duket sikur dëgjoj të thërritet emri im dhe filloj të shkoj drejt dritës së zbehtë. Kemi fikur celularët për arsye sigurie ndaj çdo komunikim elektronik është i pamundur. Sinjalizoj sërish me dritë dhe shoh tre silueta të afrohen. Ndërsa shkojmë drejt njëri-tjetrit, njoh shokët dhe vërej një person të tretë me kapuç. Ndoshta ai është vërtet një nga luftëtarët fantazmë që kemi kërkuar.

I jap dorën të panjohurit dhe shkojmë drejt këndit të ndriçuar të intervistës. I ftuari është i ndryshëm nga kallëpi guerilas që prisja. Nuk është tipi trupmadh dhe qafëtrashë me fytyrë të ashpër. Ky ka shtat të mesëm, një fytyrë paqësore dhe buzëqeshje të ndrojtur. Duket i zbehtë dhe i rraskapitur. “U arratisa duke çarë rrethimin e armikut”, thotë duke më parë në sy ndërsa dy kamerat filmojnë. Thotë se kur beteja në “Lagjen e Trimave” filloi, ai me grupin e tij ishin diku tjetër.

“Komandant Sokoli [Muhamet Krasniqi] na kishte urdhëruar të iknim nga zona, pas dyshimeve që kishte, dhe ne shkuan në një zonë tjetër”, shpjegon luftëtari anonim. Ai thotë se kur dëgjuan luftimet, vendosën të ktheheshin mbrapsht dhe çanë vijën e armikut në errësirë, për t’iu bashkuar shokëve. Nata është mike e guerilasve. Tregon se ndeshën në një grup forcash policore dhe hapën zjarr duke vrarë tre syresh dhe duke plagosur disa të tjerë.

Por kur iu bashkuan shokëve, Komandant Sokoli nuk ishte aspak i gëzuar dhe i urdhëroi të ktheheshin mbrapsht, larg skenës së betejës. “Kur u takuam na tha një fjalë shumë të rëndë sepse donte që ne të shpëtonim”. Një grimasë mirënjohjeje i përshkon fytyrën dhe zëri i zbutet kur flet për komandantin e tij. Thotë se kur çanë rrethimin për herë të dytë për t’u tërhequr, vranë edhe një snajper armik.

I intervistuari thotë se u tradhtuan. E pyesim për një person që pretendon se është luftëtar dhe që ka dalë në medie sociale duke treguar plagë dhe duke thënë se është arratisur nga duart e forcave të sigurisë pasi ishte zënë rob. “Si mundet dikush të ikë nga prangat dhe qindra policë? – pyet ai, – ky person është nga personat më të fundit që duhet të flasin, një nga ata që na tradhtuan”. Shprehet se shpresojnë ta shtinë në dorë dhe t’i tregojnë vendin.

Ai thotë se grupi i tyre quhet “Shtegtarët e Lirisë”, një formacion luftues që pretendohet se ka lidhje me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Para këtij takimi, grupi kishte pranuar përfshirjen e tij nëpërmjet deklaratave të paverifikuara në media sociale dhe disa portale lajmesh lokale. Kjo është hera e parë që dikush nga ky grup pranon të flasë për median. “Qëllimi ynë është ndërtimi i paqes”, përgjigjet njeriu me kapuç, i pyetur për synimin e tyre madhor. Thotë edhe gjëra të dëgjuara më parë për “Shqipërinë e Madhe”.

Por pse ishin në Kumanovë? “Po përgatiteshim për një aksion të madh në 12 maj, ditë kur përfundon Marrëveshja e Ohrit”, thotë ai, duke shtuar se marrëveshja nuk ishte zbatuar kurrë dhe se shqiptarët nuk morën kurrë çka u ishte premtuar. E pyesim nëse ishin ftuar atje, duke qenë se dhjetëra qytetarë të intervistuar të Kumanovës dhe Tetovës shpreheshin me forcë kundër luftës dhe pro bashkëjetesës ndëretnike. Përgjigja e tij ishte indirekte, duke u mjaftuar t’i quajë këta “njerëz të paguar”.

Misioni i pretenduar u paralizua nga përleshja e papritur, dhe pas betejës ku 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 10 luftëtarë shqiptarë u raportuan të vrarë, qeveria e Kosovës pranoi nga autoritetet e Maqedonisë një listë me emrat e 23 qytetarëve të saj, të cilët ishin arrestuar në lidhje me incidentin në vendin fqinj. Ky incident nuk ishte i izoluar.

Një sulm pa viktima ndodhi në një stacion kufitar policie më 21 prill, ndërsa një muaj para kësaj, Stojançe Angelov, një ish-gjeneral maqedonas i konfliktit të vitit 2001 deklaroi se një grup i armatosur që pretendonte se ishte UÇK po pa asnjë lidhje me këtë t fundit, ishin paguar 2 milionë euro për të sulmuar forcat e sigurisë, me qëllim provokimin e një konflikti etnik.

E kujtoj “Shtegtarin e Lirisë” për këto akuza. “Sa kërkon të paguhesh që unë të të marr jetën?” pyet ai. Nuk ka agresivitet në zërin e tij. Më duhet të vazhdoj lojën që nisa dhe i them se jeta ime nuk ka çmim. “Ja ku e ke përgjigjen: vdekja nuk ka çmim”, buzëqesh ai.

Megjithatë, pas çdo përgjigjeje që marrim, më shumë pyetje ngrihen. Përmbi ne, degët e pemëve vazhdojnë të lëkunden në erë, dhe oazi ynë i vogël prej dritash LED të kamerave mbetet i rrethuar nga errësira e pafund e pyjeve dhe mistereve të pazgjidhura të konflikteve të Ballkanit.

SHËNIM:

Ky reportazh përmban pjesë të kufizuara të intervistës. Një intervistë e zgjeruar e luftëtarit të pretenduar u shfaq të enjten e 21 majit në emisionin “Jeta në Kosovë” në RTK, dhe online në Kallxo.com.