Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së - Foto: REL/AFP

Rënia e besimit të kosovarëve në BE-në

Drejtuesit institucionalë të Kosovës, por edhe qytetarët e vendit, në përgjithësi kanë pasur besim të plotë ndaj institucioneve të Bashkimit Evropian, por besimi i tillë tashmë është zbehur mjaft, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve në Kosovë.

Sipas tyre, në vitet e fundit, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë cenuar për shkak se nuk ka pasur përparim kualitativ të vendit drejt BE-së, pavarësisht se kjo e fundit ka investuar mjaft në Kosovë dhe prania e saj në zhvillimin institucional ka qenë domethënëse.

Njohësja e zhvillimeve politike, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se një nga arsyet e humbjes së besimit të qytetarëve dhe liderëve institucionalë të Kosovës në Bashkimin Evropian apo mekanizmat e tij, ndërlidhet me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Siç thotë ajo, Kosova kishte marrë premtime publike nga zyrtarët e lartë të BE-së që me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës, liberalizimi i vizave do të jepej për qytetarët e vendit.

“Duhet të thuhet që ky raport është dëmtuar për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave nga ana e Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, veçanërisht pas miratimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit (me Malin e Zi) në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, një faktor tjetër që ka ndikuar në dëmtimin e raporteve apo të perceptimit të qytetarëve në Bashkimin Evropian apo në vetë zonjën (shefen e diplomacisë së BE-së, Federica) Mogherini, është dialogu Kosovë-Serbi dhe veçanërisht deklaratat që janë lëshuar nga zonja Mogherini. Qytetarët në Kosovë, në përgjithësi i kanë parë si deklarata, deri diku, të njëanshme, ku i njëjti qëndrim nuk është reflektuar si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, theksoi Krasniqi.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se mosrespektimi i premtimeve që Bashkimi Evropian ia ka dhënë Kosovës për liberalizimin e vizave, përkundër plotësimit të numrit të madh të kritereve të parashtruara në krahasim me vendet tjera të rajonit, ka dëmtuar besimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës ndaj BE-së. Për më shumë, sipas tij, dobitë për Kosovën, në procesin e dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë qenë shumë të vogla.

“Përkundrazi, Serbia është faktorizuar edhe në aspektin e nacionalizmit si dhe në aspektin e tentimit të zhbërjes së pavarësisë së Kosovës, me investimin e madh në zhbërjen e njohjeve. E gjithë kjo është bërë para syve të BE-së dhe me një miratim të heshtur të saj. Ka pasur edhe raste të tjera, siç është për shembull, rasti i trenit të famshëm religjioz-nacionalist, për të cilin, në fund, çuditërisht, u vlerësuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si një person i cili e ndali atë dhe e parandaloi të keqen”, tha Muhaxhiri.

Çështje e besimit ndaj Bashkimit Evropian e kanë potencuar edhe liderët institucionalë të Kosovës. Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, ditën e martë, duke iu referuar një deklarate të eurodeputetes dhe raportueses për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, se liberalizimi i vizave nuk mund të ndërlidhet me taksën që Kosova ka vënë ndaj mallrave të Serbisë, ka ngritur pikëpyetjen nëse mund t’u besohet zyrtarëve të BE-së.

“Tani, si t’ju besojmë evropianëve, që një herë na thanë ‘dialogun’, tash na thonë ‘taksën’. Ku ta dimë se çka na thonë më tutje. Është bërë pak zor t’iu besohet atyre se a është e vërtetë kjo që e thotë zonja (Fajon) në fjalë”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se deklaratat e drejtuesve të institucioneve të Kosovës duhet të jenë shumë të matura, për shkak se rruga të cilën e ndjek vendi është drejt anëtarësimit në BE dhe në strukturat euroatlantike, si dhe nuk ka ndonjë alternativë tjetër.

Krasniqi, vlerëson që kërkesat e Kosovës duhet të jenë të qarta drejt Bashkimit Evropian, por duhet gjetur mënyra që marrëdhënia Kosovë-BE të fuqizohet.

“Një gjë mbetet, që duhet përmendur, që Bashkimi Evropian ka një status neutral ndaj shtetit të Kosovës dhe kjo në perceptimin e qytetarëve shihet pak me skepticizëm. Është më se e qartë dhe më se e nevojshme që pala e Kosovës t’i artikulojë qartazi kërkesat e saj që ka ndaj BE-së, por të marrë përsipër edhe përmbushjen e obligimeve, të cilat i ka marrë. Dëmtimi i raporteve na dëmton drejtpërdrejtë neve dhe ne duhet të shohim që të jemi më pragmatik në raportet që i ndërtojmë me BE-në, institucionet e saj dhe shtetet anëtare të BE-së”, u shpreh Krasniqi.

Ndërkaq, Muhaxhiri e sheh BE-në si alternativën e vetme për Kosovën dhe politikanët e vendit, sipas tij, duhet të jenë të matur për të mos i dëmtuar raportet me BE-në.

“Ata duhet ta ngritin zërin dhe të jenë dinjitoz në kërkesat e bazuara në raport me BE-në. Të gjitha kritikat e spektrit politik duhet të bëhen deri në atë masë, e cila nuk e dëmton raportin e Kosovës me BE-në, gjithsesi, duke i marrë edhe përgjegjësitë për dështimet e mëdha të vet politikanëve të Kosovës, në përmbushjen e kritereve të agjendës evropiane të vendit”, vlerësoi Muhaxhiri.

Reagime të liderëve dhe zyrtarëve tjerë të institucioneve të Kosovës që shfaqin mosbesim, por edhe kritika me fjalor të ashpër në adresë të BE-së, ka pasur që nga vitit 2017 e këndej, qoftë për çështjen e liberalizimit të vizave, qoftë për çështje që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi.

Në tetor të vitit 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati akuzuar Bashkimin Evropian se e ka izoluar Kosovën.

“Bashkimi Evropian e ka sjell në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave”, pati thënë presidenti Thaçi. Ai, asokohe, pati theksuar që për të mundësuar lëvizjen e lirshme të qytetarëve të Kosovës, kishte kërkuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, që qytetarëve të Kosovës t’u jepet nënshtetësia e Shqipërisë, në mënyrë që të marrin pasaportat e këtij shteti.