FOTO: Bajram Kosumi/ Facebook

Rektori pa veturë, me 45 mijë euro ‘cash’

Ish- kreu i Qeverisë së Republikës së Kosovës, tani i pari i universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi ka një pasuri të paluajtshme me vlerë afër 150 mijë euro.

Kosumi që emërua rektor në universitetin ‘Kadri Zeka’ në vitin 2015, këtë vit ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit një pasuri të konsiderueshme dhe të ardhurat vjetore nga angazhimi i tij akademik.

Ai ka deklaruar se ka një truall në vlerë prej 28 mijë euro dhe një tjetër që kap vlerën 30 mijë euro.

Po ashtu, sipas deklarimit, banesa e tij e blerë ka vlerë 91 mijë euro.

Rektori nuk ka deklaruar veturë personale, mirëpo bashkëshortja e tij posedon një veturë në vlerë prej 3 mijë e 500 euro.

Në total, Kosumi ka shkruar se ka 45 mijë euro para të gatshme në dy banka vendore ndërsa 13 mijë e 500 euro të tjera janë deklaruar se janë të bashkëshortes dhe respektivisht të fëmijëve.

Kosumi merr një pagë vjetore si rektor i universitetit të Gjilanit 26 mijë e 96 euro e 73 cent, ndërsa si profesor në universitetin e Prishtinës ai ka deklaruar 4 mijë e 457 euro në vit.

Ai nuk ka deklaruar ndonjë borxh apo aksione në ndonjë biznes.

Bajram Kosumi mbajti pozitën e Kryeministrit të Kosovës për një vit nga marsi i 2005-tës deri më 2006.