Rektori nuk e komenton vendimin për mosakreditimin e Universitetit të Prizrenit

KALLXO.com raportoi sot ekskluzivisht së në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), është vendosur që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020 universiteteve publike të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit.

Lidhur më këtë vendim, KALLXO.com ka kontaktuar më rektorin e Universitetit të Prizrenit ‘ Ukshin Hoti’, Ismet Temaj.

Temaj fillimisht tha se nuk është në dijeni për këtë vendim të KShC-së.

“Nuk më ka ardhur mua asnjë vendim, nuk kam çka të them”, tha shkurt ai duke insistuar të mos flas.

KALLXO.com ka provuar përsëri disa herë të marr një qëndrim të tij, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Përveç kësaj, KALLXO.com raportoi disa minuta më parë së rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku tha se do të bëjnë ankesë për këtë vendim dhe të njëjtin e ka quajtur “të njëanshëm” dhe “me qëllime të caktuara”. 

“Po patjetër që ne do të bëjmë ankesë. Ne nuk kemi marr ende asgjë, unë tash prej juve po dëgjoj. Ta shohim anën ligjore, bëjmë ankesë dhe e shohim. Jemi kundër vendimit, nuk është i drejtë, është i njëanshëm, subjektiv. Me qëllime të caktuara është ardhë”, ka shtuar Millaku për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi nga mbledhja e KShC-së, e cila ka qenë e vetmja e monitoruese e kësaj mbledhje.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që ta miratojë raportin e ekspertëve ndërkombëtar, në të cilin rekomandohet që Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, t’i tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Për Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, përsëri me gjashtë vota pro u votua raporti i ekspertëve, në të cilin gjithashtu rekomandohet që të tërhiqet akreditimi institucional për këtë vit akademik.

Edhe për Universitetin e Prizrenit me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së votoi raportin negativ të ekspertëve, në të cilin është rekomanduar që t’i tërhiqet akreditimi institucional.

Anëtarët Rozafa Koliqi dhe Dukagjin Zeka nuk morën pjesë në votim, për shkak të letrës së ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili ka kërkuar që të pezullohet puna e KShC-së, si pasojë e letrës së Agjencionit Kundër Korrupsion, në të cilën është konstatuar se nuk ka konflikt të interesit të anëtarëve, mirëpo është rekomanduar që të zgjidhet kjo çështje në mënyrë që të mos ketë situatë të ngjashme në të ardhmen.

Bordi i KShC-së ka vendosur që t’i përjashtojë nga procesi i vendimmarrjes këta dy anëtarë, derisa të marrin një interpretim të rekomandimit të dhënë nga AKK-ja.

Bordi i KShC-së kërkoi të dijë arsyen e mungesës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Avni Gashi, i cili nuk mori pjesë në këtë mbledhje.

Ndërkohë që anëtarja Rozafa Koliqi kërkoi sqarim rreth letrës së dorëzuar nga U.D. i Drejtorit të AKA-së, në Agjencionin Kundër Korrupsion, disa muaj pasi ajo dhe profesori Dukagjin Zeka u bën pjesë e stafit të rregullt në UP.

Ndaj vendimeve të KShC-së kolegjet të cilave u është tërhequr akreditimi për vitin akademik 2019/2020 kanë të drejtën e ankesës në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Ekspertët ndërkombëtarë të Asociacionit Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ishin angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për vlerësim institucional dhe të programeve të universiteteve publike dhe kolegjeve private.