Fadil Millaku, rektor i Universitetit të Pejës "Haxhi Zeka". Foto: Kallxo.com

Rektori i Universitetit të Pejës e quan 'të njëanshëm' vendimin e KShC-së për tërheqjen e akreditimit

Rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Fadil Millaku e ka komentuar vendimin e sotëm të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për votimin e të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020 tri universiteteve publike, përfshirë atij të Pejës.

Millaku ka thënë për KALLXO.com se do të bëjnë ankesë për këtë vendim dhe të njëjtin e ka quajtur “të njëanshëm” dhe “me qëllime të caktuara”.

“Po patjetër që ne do të bëjmë ankesë. Ne nuk kemi marr ende asgjë, unë tash prej juve po dëgjoj. Ta shohim anën ligjore, bëjmë ankesë dhe e shohim. Jemi kundër vendimit, nuk është i drejtë, është i njëanshëm, subjektiv. Me qëllime të caktuara është ardhë”, ka shtuar Millaku për KALLXO.com.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020, tri universiteteve publike në vend.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Mbledhja e KShC-së ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com.

 

https://kallxo.com/gjnk/cfare-gjeten-ne-mitrovice-ekspertet-qe-rekomanduan-mosakreditimin-e-universitetit/

.