Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Rektori Dema uron studentët e UP-së që triumfuan në garën ndërkombëtare në Vjenë

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” triumfuan në garën për të drejtën ndërkombëtare komerciale dhe të drejtën e arbitrazhit “Willem C. Vis Moot”, e cila po mbahet në Vjenë të Austrisë.

Studentët ranguan UP-në në mesin 64 universiteteve më të mira, duke lënë prapa mbi 320 universitete botërore.

Në njoftimin e UP-së thuhet se ekipi triumfues në garën e njohur si “Olimpiada e Drejtësisë”, ishte i përbërë nga gjashtë studentë: Levik Rashiti, Vlera Rexha, Yll Sadiku, Gerta Ragipi, Zgjim Mikullovci, Donika Bunjaku dhe dy profesoreshat trajnere, Vjosa Osmani dhe Donikë Qerimi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, uroi studentët dhe profesorët për suksesin e treguar në këtë garë, duke thënë se nuk ka sukses më të madh për të sesa vetë suksesi i studentëve të tij.

“Kjo arritje e tyre tregon për kapacitetin që kanë studentët e këtij universiteti, si dhe vë në pah vullnetin dhe dëshirën për sukses që ushqejnë këta të rinj. Suksesi i studentëve tanë është sukses i universitetit dhe i kësaj shoqërie”, deklaroi Dema.

Ndërkaq, profesoresha Vjosa Osmani, e cila ishte edhe trajnere e studentëve në këtë garë, tha se ndihet krenare për suksesin e studentëve të saj.

“Suksesi i tyre është dëshmia më e mirë se kur ka meritokraci Kosova mund të ketë sukses. Sepse shkaku i punës së tyre suksesi i Universitetit të Prishtinës u paraqit para tërë botës – para mijëra pjesëmarrësve nga e gjithë bota”, tha Osmani.

Studentët e UP-së edhe në vitin 2017 ishin pjesë e një gare të tillë.