Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Reka: Unë nuk jam shit-blerës i votave, nuk kam të drejtë të ndikojë për kë do të votoni

Ish- kandidati shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka ka thënë se nuk do të kërkojë nga votuesit e tij që të votojnë në balotazhin për të parin e shtetit që mbahet këtë të diele.

Në një postim në “Facebook”, Reka tha se as ai e askush tjetër nuk ka të drejtë që të kërkojë nga votuesit që të votoj për një kandidat tjetër.

“As unë, e askush tjetër nuk jemi shit-blerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele”, ka shkruar Reka.

Tutje, ish- kandidati shqiptar për të parin e Maqedonisë Veriore ka thënë se ai vetëm mund të bëjë thirrje për dalje në votime.

Reka, po ashtu ka mohuar zërat se ka pasur ndonjë takim me kandidatët në balotazhin për President vendi.

“Tregtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronar të votave tuaja? Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pas as takime, as komunikim, as me kundër-kandidatët e as me liderët partiak të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial”, deklaroi ai.

Ndryshe, Blerim Reka ishte kandidati i vetëm shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut i cili nuk arriti që të fitoj votat e mjaftueshme për të vazhduar garën për të parin e këtij shteti.

Ky është postimi i tij i plotë në “Facebook”:

Të nderuar qytetare dhe qytetarë,

Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve, më lejoni që të ju falemnderoj edhe një herë për votat tuaja në rrethin e parë.
Rreth 80,000 vota, për vetëm tri javë në politikë; nuk mund të injorohen, sidomos, që ato u dhanë në zgjedhjet presidencijale me daljen më të ulët (42% në total, nga 20% në komunat shqiptare) dhe me pavlefshmërinë më të lartë të flet-votimeve, (rreth 33.000 sish!). Këto vota tuaja, mbështetën konceptin tim “Një Republikë për të gjithë- me ligjin mbi të gjithë”: si udha e vetme për NATO dhe BE.

Edhe sot po e përsëris ate që e thash në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregëtinë me vota. As unë, e askush tjetër nuk jemi shit-blerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele.

Tregëtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronar të votave tuaja?

Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pas as takime, as komunikim, as me kundër-kandidatët e as me liderët partiak të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial.

Unë mund vetëm të ju apeloj, që me 5 maj, të dilni sa më masivisht në vend-votime dhe ta shpëtoni procesin Euro- Atlantik.

Para zgjedhjeve, Reka ishte mysafir në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

 

https://kallxo.com/blerim-reka-pres-shume-vota-edhe-nga-maqedonet/