Foto-ilustrim

Refuzohet Kërkesa për Përjashtimin e Prokurores në Gjykimin për Vrasje

“Refuzohet kërkesa e të akuzuarit Gëzim Retkoceri, e parashtruar nga avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi për përjashtimin e prokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Fikrije Fejzullahu”, shkruan në aktvendimin e marrë nga Prokuroria e Apelit.

Kjo me arsyetimin pasi që nuk është gjetur asnjë arsye apo bazë ligjore për ta përjashtuar këtë prokurore nga kjo çështje penale.

“Duke pasë parasysh se këtë rast kjo prokurore edhe më parë e ka përfaqësuar në mënyrë efikase prandaj nga këto arsye me këtë vendim është ricaktuar nga Kryeprokurori i Shtetit që kjo prokurore të merret me përfaqësimin e kësaj lënde”, thuhet më tej në aktvendim.

Kërkesën për përjashtimin e prokurores Fikrije Fejzullahu për përfaqësimin e aktakuzes e kishte bërë avokatja e Retkocerit, Fehmije Gashi-Bytyqi.

“Prokurorja e çështjes Fikrije Fejzullahu vazhdimisht është treguar mospërfillëse ndaj propozimeve të mbrojtjes, por për fat të keq kjo ka pasur influencë edhe në ish-trupin gjykues, i cili është treguar tolerant ndaj saj”, ka shkruar avokatja në kërkesën e saj.

Kërkesa e avokates lidhej me një dëshmitar, i cili pretendohet të ketë qenë dëshmitar okular, ku të njëjtit nuk i është dhënë mundësia të dëshmojë.

“Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të mbrojtjes dhe gatishmerisë së dëshmitarit për t’u vu në dispozicion të organit hetues nuk u arrit pasi që asnjëherë nuk iu kërkuan mundësitë ligjore për të ushtruar të drejtën e tij në dëshmi”, thuhet më tej në aktvendim.

Osman Spahiu dhe Gëzim Retkoceri në korrik të vitit 2015 ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Prokuroria akuzon Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.