Reçica: Projektligji për Lehonat do të përfshijë edhe babain  

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka lansuar sot për konsultime publike Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror.

Reçica përmes një konference për media ka thënë se sipas këtij projektligji të Punës do të parashihet vazhdimi i kontratës se punëve brenda tri viteve vetëm dy herë.

“Projektligji i punës përfshinë që nga lidhja e kontratës në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit deri të shkëputja dhe pensionimi i punëmarrësit, orari 48 orë në javë, pushimi, puna nga shtëpia, ndalimi i konkurrencës, kompensimi i dëmit, largimet kolektive, paga minimale, gjobat dhe shumë të tjera”, tha ministri i MPMS-së.

Sa i përket projektligjit të Lehonisë, Ministri Reçica ka thënë se pushimi i lehonisë do të jetë 3 muaj pa pagesë, kurse 6 muaj të tjerë do të paguhen nga Qeveria.

“Në këtë draft ligj, kemi paraparë që pushimi i lehonisë do të jetë 12 muaj, 3 muajt e parë do të paguhen me 70% të pagës baze, 6 muaj do të paguhet nga Qeveria me 50% të pagës mesatare, 3 muaj do të jenë pa pagese. Në rast të lindjes së binjakeve apo më shumë, një grua e punësuar ka të drejtë për 18 muaj pushim lehonie, 4 muajt e parë të pushimit do të bëhet me pagese prej 70% të rrogës bazë nga ana e punëdhënësit, ndërsa 11 muajt tjerë nga Qeveria në shumë prej 60% të pagës mesatare”, ka thënë Reçica.

Me këtë projektligj parashihet edhe pushimi prindëror pa pagesë në kohëzgjatje prej katër muajsh për nënën dhe babain, derisa fëmija të mbushë moshën 2 vjeçare.

“Risia që do të ketë ky ligj është që të dy prindërit pas pushimit të lehonisë, brenda dy viteve të para të lindjes se fëmijës do të kenë të drejtë 4 muaj pushim prindëror pa pagesë. Po ashtu, që edhe babai i fëmijës ka të drejtën për një pushim me pushim 10 ditore pas lindjes se gruas së tij apo birësimit të fëmijës”, ka thënë ai.

Ministri Reçica në këtë konferencë njoftoi se për herë të parë do të bëhet trajtimi i lehonave të pa punësuara, që ato do të trajtohen me një pagë minimale për 6 muajt e parë të lindjes, bazuar në pagën minimale.