Skender Reçica para Komisionit Parlamentar - 16.04.2019

Reçica: Për 60 mijë biznese operojnë vetëm 47 inspektorë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore për sigurinë, shëndetin dhe kushtet e punës në sektorin privat në Kosovë, si dhe lidhur me koncept-dokumentin dhe draft-ligjin gjithëpërfshirës për skemat pensionale.

Me këtë rast ministri Reçica tha se pavarësisht sfidave, dikasteri i tij është duke punuar për krijimin e kushteve të përshtatshme për punë.

“Jemi duke adresuar, jemi duke krijuar kushte më të mira edhe në aspektin ligjor dhe teknik që punëtorët tanë të jenë të trajtuar dinjitetshëm. Të drejtat e tyre që i garanton ligji të jetë realitet për ta. Vitin e kaluar kemi ndërmarrë numër të konsiderueshëm të masave në krijimin e infrastrukturës shëndetësore si dhe aspektin  legjislativ”, tha ai.

Tutje ai përmendi disa nga fushatat që ka marrë ministria për vetëdijesimin e shëndetit në punë.

“Janë ndërmarrë një sërë fushatash vetëdijesuese për sigurimin e shëndetit në punë. Inspektorati i punës ka realizuar 10 mijë inspektime në teren, nga të cilat 6 mijë të përsëritura, që do të thotë që ka pasur një angazhim të mjaftueshëm të inspektoratit brenda kapaciteteve ligjore” tha ai.

Në raportimin e tij para komisionit, ministri i Punës përmendi sektorin e ndërtimtarisë si sektorin me rrezikshmërinë më të lartë.

“Duke identifikuar sektorin e ndërtimtarisë me shkallën me të lartë të rrezikshmërisë, ne në tetorin e kaluar dolëm më shumë në terren për të inspektuar sektorin e ndërtimtarisë. Në javën e parë të nëntorit kemi sbarkuar të gjithë inspektorët në Prishtinë, dhe vetëm në javën e parë kemi pezulluar 100 vendpunishte. Dhe brenda javës së parë punishtet kanë arritur t`i krijojnë masat minimale për pune, gjoba nuk janë shqiptuar në të gjitha vendpunishtet por vetëm në ato që kanë vazhduar punën pavarësisht urdhrave tanë për ndalim të punimeve”, theksoi ai.

Ministri Reçica tha qa sfidë për ministrinë është numri i vogël i inspektorëve në terren.

“Ne nuk do të ndalemi vetëm në zbatimin që ka të bëjë me sigurinë minimale, ne do të përpiqemi të jemi prezent në të gjitha punishtet me të gjitha kapacitetet që kemi. Kemi hartuar një planë të punës për këtë vit dhe jemi duke punuar për zbatimin e tij”, shtoi ai.

Sipas tij janë duke punuar në shtimin e numrit të inspektorëve në Kosovë.

“Tash e kemi ligjin për inspektoriat, këtë vit do të kemi shtim të inspektorëve, do të shtohen 20 inspektorë të ri. Krahas inspektoratit e kemi edhe Ligjin e Punës i cili do të lehtësoj punën e inspektorëve, dhe miratimi i ligjit të ri do ta krijoj një situatë të re sa i përket zbatimit të këtij ligji”, tha ai.

Duda Balje, kryetare e komisionit kërkoi nga ministri që të dijë se sa inspektorë janë  në terren dhe kërkoi më shumë sqarime për masat minimale.

Në përgjigjen e tij ministri sqaroi se masat minimale, janë rrethojat, helmetat, masat kundër zjarrit.

Ndërsa për numrin e inspektorëve Reçica tha që janë vetëm 47 inspektorë të cilët punojnë në territorin e Kosovës.

“Ne kemi një grup të inspektorëve prej 47 inspektorë dhe realisht jo të gjithë dalin në terren. Inspektimi bëhet në 60 mijë biznese. Ne kemi një planë të punës për inspektorë dhe vizitojnë sektorë të cilët i kanë të targetuar dhe e zbatojnë planin e punës. Mbi 4 mijë inspektime janë bërë në bazë të ankesave”, tha ai.

Përveç kësaj ministri Reçica tha se sipas standardeve ndërkombëtare një inspektorë mendohet ti ketë 2000 deri në 10 mijë punëtorë.

Luljeta Veseli anëtare nga PDK, tha që ligjet nuk duhet të jenë vetëm në letra.

“Të drejtat e punëtorëve, lëndimet dhe vdekjet në vendin e punës po mbeten sfidë. Unë mendoj që nuk na kryejnë punë vetëm letra e bardhë me shkronja të zeza nëse nuk zbatohen ato. Nuk na mjaftojnë vetëm t`i shkruajmë këto ligje, por në fakt realiteti të jetë ndryshe, a është i mjaftueshëm ky numër i inspektorëve në terren dhe cilat janë format që ata po i bëjnë këto inspektime”, tha ajo.