Reçica: Janë rreth 95 mijë punëkërkues në Kosovë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Gjatë këtij raportimi kryetarja e këtij komisioni, Besa Baftiu ka kritikuar ministrin në lidhje me vonesën e projektligjit për reforma pensionale.

“Dëshiroj të di arsyen pse këto vonesa, sepse në herën e kaluar kur keni qenë në komision keni thënë që do t’i plotësoni dhe ndryshoni disa nene të këtij projektligji dhe ne jemi në nëntor e ende nuk e kemi këtë ligj”, tha Baftiu.

Ajo po ashtu shtoi se nëse është nevoja do të ndihmojnë si deputetë në mënyrë që ai të jetë më efikas.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i tregoi këtij komisioni se arsyet e vonesës kanë qenë për shkak të implikimeve buxhetore.

“Në fillim kemi identifikuar se ligji për skemat pensionale kufizon të drejtat e kategorive në mënyrë jo të duhur dhe jo të drejtë dhe për këtë filluam plotësim ndryshimin përkatës, ku i kemi trajtuar me kujdes pensionet e dyfishta. Po ashtu këto vonesat kanë ardhur sepse ne kemi punuar me buxhetin e viti 2018 dhe kemi pasur implikime buxhetore”, tha ai.

Ai po ashtu ka treguar se buxheti i Ministrisë për vitin 2019 është 465.8 milionë euro.

“Kërkesat që i kemi dërguar në Ministrinë e Financave për vitin 2019 janë të akomoduara, në skema sociale dhe subvencione, shpenzime kapitale, komunale dhe paga dhe mëditje, ku më së shumti do të shpenzohet në subvencione dhe transfere”, tregoi ministri.

Ai përmendi projektligjin unik për sigurime sociale, apo fondin për sigurime sociale, i cili, sipas tij, do të bëhet në baza ndërkombëtare në 4 shtylla, siç janë: pensioni i pleqërisë, pensioni para viteve 99-ta, për pensionet e kategorive të dala nga lufta, pensionet e TMK-së dhe lehonat e papuna.

Ministri po ashtu tha se janë mbi 95 mijë punë kërkues në Kosovë që janë lajmëruar tek enti për punësim, por sipas tij “ka një mos përputhje mes kërkesave të bizneseve dhe punëtorëve, sepse bizneset po ankohen që s’janë punëtor të mirë”.

Ndërsa anëtarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku tha se mos zbatimi i kontratave kolektive është një problem i madh.

“Pothuajse askush nuk ka kontratë që është mbi 6 muaj dhe shumica e tyre punojnë pa kontrata dhe punëtorët që vdesin në vendet e punës apo lëndohen ata nuk kanë kontratë dhe për këtë nuk mund të marrin kontribute”, tha Kollçaku.

Ajo po ashtu kërkoi  nga ministri që sa më shpejt t’u mundësohet pushimi shëndetësor me pagesë personave që janë me sëmundje të kancerit, për shkak të nevojës së mjekimit me kimioterapi.

Bekim Haxhiu anëtari tjetër i këtij komisioni tha se MPMS-ja më shumë primare e ka marrë skemën sociale sesa krijimin e vendeve të punës.

“Kjo ministri vetëm 10% të buxhetit t’ia kushtonte krijimit të vendeve të punës, pas pak viteve Kosova nuk do të kishte këtë nivel të papunësisë dhe shteti do të funksiononte më mirë”, tha ai.