Reçaku

Reçaku kërkon ujë

Banorët e Reçakut të Shtimes janë ankuar në KALLXO.com se gypat e ujësjellësit në fshatin e tyre nuk sjellin ujë.

Ata thonë se me problemin për ujë të pijes përmes sistemit të ujësjellësit ata po përballen tash e shumë vjet.

Sipas banorëve, qëkur janë vendosur, gypat nuk kanë funksionuar asnjëherë.

Ejup Bajrami, banor i Reçakut, fshatit në të cilin në janar të vitit 1999 forcat serbe masakruan mbi 50 civilë shqiptarë, tregon për KALLXO.com se banorët furnizohen nga bunarët.

“I ka mbi tetë vite që s’ka ujë këtu. Hiç, me bunarë, puse me ata furnizohemi”, tha Bajrami.

Ai shton se edhe po të bëjnë ankesa e kërkesa në Komunën e Shtimes askush nuk ndërmerr masa.

“Te kush me kërku, te të vdekurit edhe te këta (zyrtarët komunalë) nuk mund të ankohesh. Badihava ankohna kur këta nuk i marrin parasysh”, tha ai.

Ndërsa Nazif Veseli thotë se dështimi i sistemit të ujësjellësit ka bërë që mbi 250 shtëpi të fshatit mos arrijnë të furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi.

“Janë nja 5 ose 6 shtëpi kanë ujë pasi që janë në rrafsh, në anën tjetër janë 250 shtëpi edhe nuk ka asnjë pikë uji”, tha ai

Ai thotë se në familjen e tij përdorin bunarët e hidroforët familjarë për t’u furnizuar me ujë.

Por Komuna e Shtimes, përgjegjësinë për furnizim me ujë ia hedh Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

“Lidhur me furnizimin me ujë për fshatin Reçak, por edhe komunën e Shtimes në përgjithësi janë përgjegjës Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, ndërsa sa i përket investimeve dhe rrjetit të ujësjellësit për këtë fshat ju informojmë se në vitin 2000-2001 është bërë instalimi i ujësjellësit nga Agjencioni Evropian dhe gypat e vendosur në atë kohë kanë qenë të standardeve (PVC – me perimetër 110mm – 63mm, rrjeti kryesor primar me gjatësi 6000 metra. Furnizimi është bërë nga një burim mbi fshat, i cili po ashtu ka furnizuar edhe qytetin e Shtimes në vitet e 70-ta”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.

Komuna thotë se shumë shpejt në rrjetin e ujësjellësit të këtij fshati do të ketë një investim nga CDI (Community Development Initiative) në shumën prej rreth 200 mijë eurove

Ndërsa kompania e ujësjellësit thotë se punët për ta rregulluar furnizimin e Reçakut me ujë janë në përfundim e sipër.

“Ka përfunduar gjithçka lidhur me sistemin për furnizim me ujë për fshatin Reçak,  vetëm pranimi teknik ka mbet pa u bërë, deri sa të vijnë zviceranët (donatorët)”, tha për KALLXO.com, Ali Ademaj, menaxher i KUR “Prishtina” në Shtime.