Reagon ministri pas lajmit se anëtari i Bordit të Telekomit punësoi fëmijët e tij

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka reaguar pas lajmit se anëtari i Bordit të Telekomit të Kosovës, Osman Ejupi ka punësuar në Telekom katër fëmijët e tij.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se nëse vërtetohet një gjë e tillë, do të kërkojë shkarkimin e Ejupit.

“Lidhur me rastin e anëtarit të bordit të Telekomit të Kosovës që, sipas KTV, ka punësuar 4 fëmijët e vet në Telekom brenda 1 muaji: Ne sot kemi kërkuar të vërtetohet kjo informatë dhe nëse del të jetë ashtu, si ministër i linjës do të kërkoj menjëherë shkarkimin e anëtarit të bordit në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Nepotizmi dhe ushtrimi i ndikimit në punësim janë vepra të patolerueshme. Praktika të tilla janë në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike dhe ligjin e punës”, ka shkruar Lluka.