Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Foto: MD

Reagon Ministri i Drejtësisë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar në lidhje me ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit të Pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Sipas Tahirit ky ndryshim rrezikon pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend.

“Jam tejet i shqetësuar me faktin se parametrat rregullativ të vendosur në këtë projektligj, kanë prekur dhe degraduar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke tjetërsuar konceptin e pavarësisë së sistemit gjyqësor si pushtet i tretë dhe i pavarur”, tha Tahiri.

Ai shtoi se në lidhje me propozimet e dhëna në projektligj, të cilat cenojnë pavarësinë e gjyqësorit ka shprehur mospajtim.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë gjyqësor të pavarur, të pa ndikuar nga politika në asnjë mënyrë, dhe pavarësia financiare është thelbësore në profesionalizimin e mëtejshëm të këtij sektori. Po ashtu, do të kërkoj që të përfillet kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që pagat të rriten për stafin civil të punësuar në gjykata dhe prokurori”, tha tutje Tahiri.

Ai shtoi se, “Do të kërkoj edhe njëherë nga Komisionet e Kuvendit që të shqyrtojnë me kujdes mënyrën sesi trajtojnë gjyqësorin, meqenëse kjo është jetike në funksionimin e demokracisë sonë”

Në fund Tahiri ka thënë se pret që në ditët në vijim, deputetët të reflektojnë dhe të mundësojnë avancimin e reformave të ndërmarra në vitin e fundit, për të krijuar një ambient pune të përshtatshëm për gjykatësit dhe profesionistët tjerë, dhe për të mundësuar që ky sistem të jetë i besueshëm për qytetarët e vendit.