Logo e LDK-së - Foto: Facebook

Reagon LDK: Flora Brovina t’i kërkojë falje Mevlyde Saraçit dhe LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së PDK-së, Flora Brovina se fotografia e publikuar nga ajo në Kuvend, i është dorëzuar nga ish deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi në vitin 2003.

Në reagim thuhet se është e papranueshme kjo deklaratë e deputetes Brovina, e cila sipas tyre, tenton që fajin për mosprofesionalizmin e saj ta hedhë tek të tjerët.

“Është e udhës që znj. Brovina të kërkojë falje dhe të marrë përgjegjësi për mungesën e profesionalizmit nga ana e saj. Përgjegjësia profesionale, ligjore, morale dhe etike për dokumentet që prezanton znj. Brovina i takon asaj, vetëm asaj dhe askujt tjetër.”, thuhet në reagim.

LDK ka deklaruar se mirëpresin kërkimfaljen nga deputetja Brovina drejtuar Mevlyde Saraçit, LDK-së dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët u traumatizuan me dokumentin e rremë.

“Një deputete që respekton qytetarët që i kanë besuar votën, sot do të dorëzonte mandatin e saj e jo të tentojë të shfajësojë mosprofesionalizmin e saj duke akuzuar të tjerët.”, është thënë tutje në reagim.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, dje(16 maj) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë.

Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e ka prezantuar si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.

Megjithatë ajo tha se ka kohë që e posedon këtë fotografi dhe se e ka marrë drejtpërdrejt nga familjarët.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.

Publikimi i kësaj fotografie, u kritikua ashpër nga deputetë, aktivistë, e shoqata të ndryshme.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale kishte paralajmëruar hetime në bazë të kësaj fotografie dhe se do të marrë në pyetje deputeten për këto dëshmi.

Deputetja Flora Brovina ka folur sot pas intervistimit në Prokurorinë Speciale.

Ajo ka pranuar që fotografia e prezantuar dje, e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë, nuk është autentike.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, duket se i ka ndërruar fjalët në prokurori gjatë marrjes në pyetje rreth fotografisë së publikuar të enjten për të cilën pretendonte se paraqet një grua shqiptare të Kosovës duke u dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, e cila e ka intervistuar sot deputeten në cilësinë e dëshmitares, tha se Brovina e ka pranuar se nuk e ka raportuar këtë fotografi më herët në Prokurori dhe se nuk ëhstë në dijeni për identitetin e viktimës në fotografi, përderisa dje e kishte thënë të kundërtën.

Ndërkohë që ish-deputetja Mevlyde Saraçi ka paralajmëruar se do ta padisë për shpifje, deputeten e PDK-së, Flora Brovina.

https://kallxo.com/ish-deputetja-mevlyde-saraci-paralajmeron-padi-per-shpifje-ndaj-flora-brovines/